Shqipëria Postuar më 27 October 2026, 10:56

Shoqëri për Strehimin Social - Shoqëria e re aksionare do të menaxhojë banesat 

Nga SCAN TV

Shoqëri për Strehimin Social - Shoqëria e re aksionare do të

Shqipëria pritet të ketë një kompani të posaçme shtetërore për zhvillimin dhe administrimin e banesave sociale dhe të përballueshme. Projektligji i ri për strehimin social parashikon krijimin e “Shoqërisë Shqiptare të Strehimit Social”, sh.a., një strukturë që do të merret me sigurimin, zhvillimin, administrimin, mirëmbajtjen dhe zgjerimin e fondit të banesave të destinuara për programet e strehimit.

Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, krijimi i kësaj shoqërie synon të adresojë një nga problematikat e sistemit aktual, që lidhet me kapacitetet e kufizuara për zhvillimin dhe administrimin afatgjatë të banesave sociale. Struktura e re do të ketë një rol të specializuar në menaxhimin e aseteve të strehimit, duke krijuar mundësi për administrimin e një fondi të qëndrueshëm banesash, përtej programeve të veçanta të realizuara nga institucionet publike.

Ndryshimi është pjesë e një reforme më të gjerë, e cila parashikon zgjerimin e ndërhyrjes shtetërore edhe në strehimin e përballueshëm për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Krahas krijimit të shoqërisë së re aksionare, projektligji forcon rolin e Agjencisë Kombëtare të Territorit dhe Strehimit Social, e cila do të jetë përgjegjëse për administrimin e Fondit për Strehim dhe Kohezion Social, si dhe për financimin dhe zbatimin e programeve të strehimit.

Nëpërmjet këtij fondi parashikohet të financohen ndërtimi, blerja, rikonstruksioni dhe përshtatja e banesave. Projektligji krijon gjithashtu mundësinë e blerjes së apartamenteve në tregun e lirë, në rastet kur kjo rezulton ekonomikisht më e favorshme sesa ndërtimi i objekteve të reja. Ndërkohë, banesat e ndërtuara ose të blera përmes Fondit për Strehim dhe Kohezion Social do të jenë në pronësi të Agjencisë Kombëtare të Territorit dhe Strehimit Social.

Relacioni parashikon një kalim gradual të funksioneve, programeve dhe pasurive drejt strukturave të reja, me qëllim që programet ekzistuese të strehimit të mos ndërpriten. Krijimi i Shoqërisë Shqiptare të Strehimit Social synon të vendosë një model më të organizuar për administrimin dhe mirëmbajtjen afatgjatë të banesave, duke zgjeruar kapacitetet publike për ofrimin e strehimit social dhe të përballueshëm.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat