Shqipëria Postuar më 27 October 2026, 11:45

132 mln euro importe energjie - KESH blen 17.9 mln euro për të mbuluar konsumin deri në 1 nëntor 

Nga Ola Mitre

132 mln euro importe energjie - KESH blen 17.9 mln euro për të mbuluar

Fatura e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për blerjen e energjisë elektrike gjatë këtij viti ka arritur në rreth 132 mln euro, pas procedurës më të fundit për sigurimin e energjisë që do të konsumohet deri në datën 1 nëntor.

Sipas rezultateve të publikuara nga KESH, për këtë periudhë janë kontraktuar gjithsej 64,800 mWh energji, të ndara në dy lote, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 17.9 mln euro, pa TVSH.

Pjesa më e madhe e sasisë, prej 63 mijë mWh, është siguruar me një çmim mesatar të ponderuar prej 276.87 euro/MWh, duke shënuar nivelin më të lartë mesatar për një procedurë blerjeje gjatë këtij viti. Ndërkohë, për 1,800 mWh të tjera, çmimi mesatar i ponderuar rezulton 229.75 euro/mWh. Blerja e parë për këtë vit, që mbulonte periudhën 1 korrik – 30 shtator, u kontraktua me një çmim prej 125.47 eurosh për MWh. Çmimi mesatar i procedurës së fundit është më shumë se dy herë më i lartë.

Me shtimin e kësaj sasie, blerjet e kontraktuara për periudhën korrik – nëntor arrijnë në rreth 777,500 mWh, me një vlerë totale prej gati 132 mln euro, pa TVSH. 

Kjo faturë vjen në një kohë kur prodhimi vendas i energjisë elektrike mbetet i mbështetur kryesisht te hidrocentralet, çka e bën atë të varur nga reshjet. Ndonëse kapacitetet fotovoltaike janë në rritje, energjia diellore ende nuk e ka zbutur mjaftueshëm këtë varësi. Për pasojë, në periudhat e thata, blerjet e energjisë mbeten të nevojshme për të përmbushur kërkesën për furnizim.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat