Shqipëria Postuar më 27 October 2026, 10:46

“Turizmi mban ekonominë” - BB: Rritje prej 3.4% në 2026 falë kërkesës së brendshme, shërbimeve dhe ndërtimit

Nga Ledina Elezi

“Turizmi mban ekonominë” - BB: Rritje prej 3.4% në 2026

Ekonomia shqiptare pritet të ketë një rritje prej 3.4% në 2026, falë kërkesës së brendshme, shërbimeve dhe ndërtimit. Banka Botërore parashikon rritje ekonomike, por me një ritëm më të ngadaltë se vitin e kaluar. 

Kërkesa e lartë për punonjës në raport me ofertën e fuqisë punëtore ndihmoi në uljen e papunësisë në nivelin më të ulët historik, ndërsa pagat vazhduan të rriten. 

Për sa i përket sektorit financiar, ai vijoi të ishte i qëndrueshëm, i mbështetur nga një nivel i ulët i kredive me probleme teksa rritja e kreditimit mbeti e fortë. Inflacioni u rrit gradualisht deri në muajin gusht, duke reflektuar rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve, qiratë e larta në kushtet e kërkesës së fortë nga turizmi, si dhe rritjen e ndjeshme të pagave. 

Pozicioni fiskal i vendit vijoi të përmirësohej. Ecuria e fortë e të ardhurave buxhetore ndihmoi në krijimin e një suficiti fiskal në gjysmën e parë të vitit 2026, ndërsa suficiti dhe mbiçmimi i lekut kontribuan në një rënie të mëtejshme të borxhit publik. Konkretisht, borxhi publik zbriti nën 50% të PBB-së.  Pozicioni i jashtëm i Shqipërisë u forcua gjithashtu, i mbështetur nga rritja e investimeve të huaja direkte, rezervat më të larta valutore dhe ngushtimi i deficitit të llogarisë korrente.

Pavarësisht këtij përparimi, ka ende sfida të rëndësishme strukturore. Rritja ekonomike vazhdon të mbështetet kryesisht te turizmi sezonal, me volum të lartë, por me vlerë të shtuar të ulët, si dhe te shërbimet e tjera, ndërsa baza e eksporteve mbetet e ngushtë. Megjithëse firmat shqiptare hyjnë relativisht lehtë në tregjet e eksportit, shumë marrëdhënie eksporti mbeten afatshkurtra, duke kufizuar mundësitë për të rritur shkallën e aktivitetit, produktivitetin dhe krijimin e vendeve më të mira të punës. Meqenëse tarifat janë tashmë relativisht të ulëta, reformat e ardhshme tregtare në Shqipëri duhet të përqendrohen në uljen e kostove përtej tarifave doganore në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve që lidhen me barrierat e brendshme rregullatore dhe administrative, të cilat mund të jenë dy deri në pesë herë më të larta se tarifat ekzistuese thekson Banka Botërore. 

Sipas Menaxherit të Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë, Massimiliano Paolucci, adresimi i hendekut në aftësi, rritja e produktivitetit dhe krijimi i kushteve që bizneset të investojnë dhe të zgjerohen janë thelbësore për ruajtjen e rritjes afatgjatë dhe përshpejtimin e konvergjencës me Bashkimin Evropian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat