TVSH, Shqipëria sfidon rajonin/ Norma e shportës ushqimore prej 6% do na rendiste pas Maqedonisë së Veriut

Shqipëria pritet të ndryshojë rrënjësisht pozicionin e saj në Ballkanin Perëndimor sa i përket tatimit mbi produktet ushqimore bazë. Nga vendi me normën më të lartë të TVSH-së për këto produkte, Shqipëria mund të renditet e dyta në rajon me normën më të ulët, nëse miratohet propozimi i qeverisë për ta reduktuar atë nga 20% në 6%.
Një analizë krahasuese e Scan Intel mbi normat e tatimit mbi vlerën e shtuar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor tregon se Shqipëria ka qenë një përjashtim në rajon, duke aplikuar normën standarde prej 20% edhe për produktet më të domosdoshme të konsumit familjar.
Ndryshe nga vendi ynë, katër vende të rajonit zbatojnë prej vitesh norma të reduktuara për kategori të caktuara ushqimesh, ndërsa Bosnje Hercegovina aplikon një normë të vetme prej 17%.
Me paketën fiskale 2027, qeveria shqiptare propozon që buka, mielli, qumështi, kosi natyral, vezët, orizi, makaronat, vaji ushqimor, mishi, peshku bazë, frutat dhe perimet e freskëta, bishtajoret, sheqeri dhe ushqimet bazë për foshnja të tatohen me 6%.
Me miratimin e këtij propozimi, vetëm Maqedonia e Veriut, me normën e reduktuar prej 5% për ushqimet bazë, do të kishte një normë më të ulët se Shqipëria.
Maqedonia e Veriut, taksa më e ulët në rajon
Maqedonia e Veriut zbaton normën e përgjithshme të TVSH-së prej 18%, por për një listë të gjerë produktesh ushqimore bazë aplikohet norma e reduktuar prej 5%.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, në këtë kategori përfshihen produkte të domosdoshme për konsumin familjar, si buka, mielli, qumështi, vezët, orizi dhe produkte të tjera ushqimore të përcaktuara në legjislacionin vendas.
Sistemi maqedonas parashikon gjithashtu një normë tjetër të reduktuar prej 10%, e cila zbatohet për kategori të veçanta produktesh dhe shërbimesh.
Kjo do të thotë se tatimi për ushqimet nuk është uniform, por ndryshon sipas kategorive. Megjithatë, norma 5% e vendos Maqedoninë e Veriut në krye të rajonit për trajtimin preferencial tatimor të produkteve bazë.
Mali i Zi, ushqimet bazë me TVSH 7%
Mali i Zi ka një nga normat e përgjithshme më të larta të TVSH-së në Ballkanin Perëndimor, prej 21% referuar Adminitratës Tatimore të Malit të Zi. Megjithatë, për një pjesë të produkteve ushqimore bazë zbatohet norma e reduktuar prej 7%.
Në këtë kategori përfshihen buka, qumështi dhe produktet e bulmetit, mishi, vezët, sheqeri dhe produkte të tjera të përcaktuara në legjislacion.
Në këtë mënyrë, një pjesë e konsiderueshme e ushqimeve të domosdoshme për familjet trajtohen me një normë tatimore 14 pikë përqindje më të ulët se norma standarde.
Mali i Zi përbën një shembull interesant për Shqipërinë, pasi edhe paketa fiskale shqiptare propozon një model të ngjashëm, rritjen e TVSH-së standarde në 21%, por mbajtjen e një norme shumë më të ulët për ushqimet bazë.
Kosova, TVSH 8% për produktet e domosdoshme
Kosova aplikon normën e përgjithshme të TVSH-së prej 18%, ndërsa për disa produkte të konsumit bazë norma reduktohet në 8%.
Sipas Administratës Tatimore të Kosovës, kjo normë zbatohet për drithërat, miellin, bukën, makaronat dhe produkte të ngjashme, vajrat e gatimit, qumështin, produktet e bulmetit, vezët dhe kripën.
Megjithatë, jo të gjitha produktet ushqimore përfitojnë nga norma e reduktuar.
Për shembull, trajtimi i mishit, frutave dhe perimeve nuk është automatikisht i njëjtë me atë të bukës apo qumështit. Për produkte që nuk përfshihen në listën përkatëse zbatohet norma standarde prej 18%.
Ky dallim është i rëndësishëm për krahasimin me Shqipërinë. Projektligji shqiptar synon të përfshijë në normën 6% edhe mishin, frutat dhe perimet e freskëta. Nëse lista përfundimtare miratohet sipas propozimit, disa kategori ushqimesh mund të kenë trajtim tatimor më të favorshëm në Shqipëri sesa në Kosovë.
Serbia, ushqimet bazë me TVSH 10%
Serbia zbaton normën standarde të TVSH-së prej 20%, të njëjtë me normën aktuale në Shqipëri.
Por ndryshe nga vendi ynë, ajo ka një normë të reduktuar prej 10% për produkte ushqimore bazë, sipas kategorive të përcaktuara në ligj.
Në këtë grup përfshihen produkte si buka, mielli, qumështi dhe disa kategori të tjera të konsumit të përditshëm.
Diferenca ndërmjet dy vendeve është e dukshme: për ushqimet që përfitojnë nga norma e reduktuar serbe, barra tatimore është 10 pikë përqindje më e ulët se ajo që aplikohet aktualisht në Shqipëri.
Nëse reforma shqiptare miratohet, raporti përmbyset. Norma e propozuar prej 6% do të jetë katër pikë përqindje më e ulët se norma përkatëse në Serbi.
Bosnje Hercegovina, pa TVSH të reduktuar
Bosnje Hercegovina është vendi tjetër i Ballkanit Perëndimor që nuk aplikon një normë të përgjithshme të reduktuar për ushqimet bazë.
Sistemi i saj mbështetet në një normë standarde prej 17%, e cila zbatohet edhe për produktet ushqimore të zakonshme.
Megjithëse nuk ka një normë preferenciale për shportën ushqimore, barra e TVSH-së është aktualisht tri pikë përqindje më e ulët se në Shqipëri.
Nëse propozimi shqiptar miratohet, diferenca për produktet e përfshira në shportën e reduktuar do të arrijë në 11 pikë përqindje në favor të Shqipërisë.
Sa mund të ulen çmimet e ushqimeve?
Ndryshimi i propozuar i TVSH-së nga 20% në 6% përfaqëson një ulje prej 14 pikësh përqindjeje të normës tatimore, por kjo nuk përkthehet automatikisht në ulje çmimesh prej 14%.
Nëse një produkt kushton aktualisht 120 lekë, nga të cilat 20 lekë janë TVSH, çmimi i tij pa tatim është 100 lekë.
Me aplikimin e normës së re prej 6%, çmimi përfundimtar do të ishte 106 lekë, nëse vlera pa tatim mbetet e pandryshuar dhe ulja transferohet plotësisht te konsumatori.
Pra, çmimi do të ulej me 14 lekë, ose rreth 11.7%.
Le të marrim një rast hipotetik. Për një shportë ushqimore me vlerë 10,000 lekë, e përbërë tërësisht nga produkte që përfitojnë nga norma e re, kursimi teorik do të ishte rreth 1,167 lekë.
Megjithatë, kursimi real do të varet nga produktet që përfshihen në shportën e familjes dhe nga mënyra se si bizneset do ta reflektojnë uljen e tatimit në çmimet e shitjes.
Reforma që ndryshon barrën tatimore të konsumit
Ndryshimi i propozuar nuk kufizohet vetëm te ushqimet.
Paralelisht me uljen e TVSH-së për produktet bazë, qeveria propozon rritjen e normës standarde nga 20% në 21%, si dhe rritjen e TVSH-së nga 6% në 10% për disa kategori shërbimesh turistike.
Sipas relacionit të projektligjit, ulja e TVSH-së për ushqimet pritet të reduktojë të ardhurat buxhetore me rreth 12.8 miliardë lekë. Nga ana tjetër, rritja e normës standarde pritet të sjellë 10.6 miliardë lekë të ardhura shtesë, ndërsa ndryshimet në turizëm rreth 614 milionë lekë.
Efekti neto i vlerësuar është një pakësim i të ardhurave buxhetore me afro 1.6 miliardë lekë.
Në thelb, reforma synon të zhvendosë një pjesë të barrës tatimore nga produktet më të domosdoshme për jetesën drejt kategorive të tjera të konsumit.
Kjo mund të jetë veçanërisht e rëndësishme për familjet me të ardhura të ulëta, të cilat zakonisht shpenzojnë një pjesë më të madhe të buxhetit për ushqime.
Përvoja e vendeve të Ballkanit Perëndimor tregon se normat e reduktuara për ushqimet janë një instrument i përhapur i politikës fiskale. Me propozimin për vitin 2027, Shqipëria synon t'i bashkohet këtij modeli, duke kaluar nga barra më e lartë tatimore në rajon për ushqimet bazë, në një prej normave më të ulëta.
Marrëveshja Shqipëri dhe Itali – Zgjatet njohja e lejeve të drejtimit edhe për 5 vite të tjera
Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit është zgjatur edhe për pesë vite të tjera. Vendimi garanton vijimësinë......
Furnizim me ujë 24 orë - Projekt për ujësjellësin dhe kanalizimet në Pogradec
Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Pogradec ka shpallur garën për studim dhe projektim të rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve në zonat në......
EKSKLUZIVE/ Paketa Fiskale 2027, SCAN zbardh draftin me 7 ndryshimet kryesore
Paketa Fiskale 2027 pritet të sjellë një sërë ndryshimesh në sistemin e taksave dhe në marrëdhëniet e bizneseve me administratën tatimore. Qeveria......
Ministri Hoxha me ambasadorët e BE-së: Liritë demokratike themeli i rrugës evropiane të Shqipërisë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka patur sot një takim me ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri, për të......
Ura e Vjosës, firmoset kontrata për rishikimin e projektit dhe mbikëqyrjen e punimeve
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nënshkruar kontratën për rishikimin e projektit të zbatimit dhe mbikëqyrjen e punimeve për Urën e Vjosës dhe rrugën lidhëse.......
Eficenca energjetike në konvikte - Bilali: Synohet përmirësimi i kushteve për studentët
Komisioni parlamentar për Edukimin, Shkencën dhe Sportet ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Gjermaninë, që parashikon financimin e......
AI për faturat e energjisë - Rritje transparence dhe minimizim gabimesh në lexim
Inteligjenca artificiale do të përdoret për të kontrolluar leximin e matësve të energjisë elektrike, me synimin për të reduktuar gabimet në regjistrimin e......
Gjirokastër-Kakavijë, autostradë - ARRSH synon zgjerimin e rreth 24 km rrugë, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian
Me një fond limit prej gati 100 mln lekë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për studimin dhe projektimin e zgjerimit të aksit rrugor Gjirokastër –......

