Shqipëria Postuar më 27 October 2026, 11:44

Si ndryshon Banka Qendrore? - Ligji i ri ndalon financimin monetar të institucioneve publike dhe rritje të kapitalit bazë

Nga Ledina Elezi

Si ndryshon Banka Qendrore? - Ligji i ri ndalon financimin monetar të

Me ndryshimet e reja në ligjin për Bankën e Shqipërisë, kjo e fundit nuk mund të financojë qeverinë apo institucione të tjera publike. Banka Qendrore, organet e saj vendimmarrëse dhe stafi, nuk kërkojnë ose marrin udhëzime nga institucione shtetërore apo persona të tjerë. 

Gjatë diskutimit në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Zëvendësministri i Financave Endrit Yzeiraj u shpreh se objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë mbetet ai i stabilitetit të çmimeve, por garanton gjithashtu stabilitetin financiar dhe mbështet politikat makroekonomike të qeverisë pa rënë ndesh me objektivin e saj kryesor. Titujt e qeverisë blihen vetëm në tregun sekondar, me një përjashtim të kufizuar vetëm për riinvestimin e titujve që maturohen.

“Ligji që sjellim sot përpara jush ka 5 risi të rëndësishme. E para, specifikohet një mandat i qartë, i pakontestueshëm në hierarkinë e prioriteteve të Bankës së Shqipërisë, stabiliteti i çmimeve është objektivi kryesor i cili ankoron të gjitha objektivat dhe qëllimet e tjera të Bankës. E dyta, ngrihet një mur i fortë me Bankës Qendrore dhe buxhetit, ligji ndalon në mënyrë eksplicite financimin monetar të qeverisë dhe institucioneve publike”, theksoi Yzeiraj. 

Një risi e ligjit është edhe krijimi i Komiteteve në Bankën e Shqipërisë. 

“E treta shtohen disa parime të rëndësishme për një qeverisje moderne. Për herë të parë shtohen Komiteti i Politikës Monetare, Komiteti i Stabilitetit Financiar dhe Auditit. E katërta, ngrihet një Bankë Qendrore financiarisht më e fortë, pasi rritet kapitali thelbësor i Bankës së Shqipërisë”, u shpreh Yzeiraj. 

Mandati i Guvernatorit, Zëvendësguvernatorëve dhe anëtarëve kufizohet në 7 vite me të drejtë rizgjedhjeje. Janë vendosur standarde të mirëfillta për kandidatët, të cilët duhet të kenë mbi 10 vite përvojë drejtuese ose akademike dhe nuk duhet të marrin pjesë aktive në veprimtari politike. Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët për një vit pas mandatit nuk mund të punojnë në një prej subjekteve që mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë, element që kufizon konfliktin e interesit në të ardhmen e këtyre pozicioneve.

Nga 1 janari i 2028, Banka e Shqipërisë do të jetë pjesë e legjislacionit për prokurimet publike. Shumë komponentë të tjerë do të hyjnë në fuqi kur Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Konkretisht, kapitulli 14 hyn në fuqi kur ne të anëtarësohemi në BE, ndërsa kapitulli 15 kur ne të jemi pjesë e Eurozonës, pra të adoptojmë euron. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat