Shqipëria Postuar më 27 October 2026, 12:08

Rezervuarë nëntokësorë në Lanë - Projekti për ujitjen e 50 mijë m² gjelbërim

Nga SCAN TV

Rezervuarë nëntokësorë në Lanë - Projekti për

Dy rezervuarë nëntokësorë me kapacitet të përgjithshëm rreth 63 mijë litra ujë parashikohet të ndërtohen përgjatë lumit Lanë, në Tiranë. Strukturat do të vendosen në të dyja anët e lumit, pranë Urës së Drejtorisë së Policisë, dhe do të shërbejnë për furnizimin e një sistemi të ri automatik të ujitjes së gjelbërimit.

Sipas projektit teknik, secili rezervuar do të ketë një kapacitet rreth 31.5 metra kub dhe do të ndërtohet nëntokë, me strukturë betonarmeje. Vendosja e tyre është konceptuar në mënyrë që secila depozitë të furnizojë në mënyrë të pavarur rrjetin e ujitjes në njërin krah të lumit.

Furnizimi me ujë do të realizohet përmes dy puseve ekzistuese, me thellësi rreth 50 metra, të vendosura në një distancë prej afro 80 metrash nga njëri-tjetri. Uji do të pompohet fillimisht drejt rezervuarëve nëntokësorë dhe më pas, përmes pompave të presionit, do të shpërndahet në rrjetin e ujitjes.

Investimi është pjesë e projektit për modernizimin e ujitjes së sipërfaqeve të gjelbra përgjatë një segmenti rreth 2.5 kilometra të lumit Lanë, nga Ura e Maternitetit të Ri deri te Ura e Drejtorisë së Policisë. Në total parashikohet të përfshihen rreth 50,600 metra katrorë gjelbërim.

Sistemi i ri do të përdorë tubacione nëntokësore, spërkatës automatikë dhe pajisje elektronike që mundësojnë programimin e ujitjes sipas nevojave të bimësisë.

Projekti synon përdorimin më efikas të burimeve ujore, përmirësimin e mirëmbajtjes së gjelbërimit dhe reduktimin e humbjeve të ujit, duke krijuar një infrastrukturë të automatizuar për korridorin e gjelbër të Lanës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat