Analiza Postuar më 5 November 2026, 11:18

Qiratë u rritën mbi 20%/ Por Durrësi dhe Vlora, me kostot më të ulëta të strehimit në Europë

Nga Eldiona Serani

Qiratë u rritën mbi 20%/ Por Durrësi dhe Vlora, me kostot më

Tregu i qirave në Shqipëri ka shënuar rritje të konsiderueshme gjatë vitit 2025, me disa prej qyteteve kryesore që regjistrojnë ndër ndryshimet më të forta të çmimeve në Europë. Sipas raportit Deloitte Property Index, Durrësi kryeson me një rritje vjetore prej 22.4%, i ndjekur nga Vlora me 20%, ndërsa Tirana regjistron një shtrenjtim prej 16.9%.

Të dhënat tregojnë se presioni në tregun e qirave nuk është i kufizuar vetëm në kryeqytet, por shtrihet edhe në qytetet bregdetare. Në rastin e Durrësit dhe Vlorës, Deloitte e lidh këtë tendencë me rritjen e aktivitetit turistik dhe zgjerimin e kërkesës për akomodim afatshkurtër, faktorë që kanë reduktuar ofertën e disponueshme për qiramarrësit afatgjatë.

Ndërkohë, në Tiranë, rritja e kërkesës mbështetet nga shtimi i popullsisë, migrimi i brendshëm dhe roli i kryeqytetit si qendra kryesore ekonomike dhe administrative e vendit. Këta faktorë kanë ndikuar në rritjen e presionit mbi tregun e banesave me qira.

Pavarësisht ritmeve të larta të shtrenjtimit, Shqipëria vijon të pozicionohet në segmentin e qyteteve me qiratë më të përballueshme për metër katror në Europë. Në listën e tregjeve me kostot më të ulëta të qirasë për vitin 2025, Durrësi dhe Vlora renditen me një mesatare prej 6 eurosh për metër katror në muaj. Për krahasim, Ankaraja regjistron nivelin më të ulët, me 5 euro për metër katror, ndërsa Izmiri vijon me 5.9 euro. Plovdivi në Bullgari regjistron 6.6 euro dhe Stambolli 6.9 euro për metër katror.

Pra, ndonëse qytetet shqiptare mbeten ndër më të lirat për nga niveli absolut i qirave, ritmet e rritjes tregojnë se ky avantazh po shoqërohet me një shtrenjtim të shpejtë të banesave.

Hamburgu regjistroi rritjen më të lartë të qirave ndër qytetet e analizuara, me 23.6% në bazë vjetore. Nga ana tjetër, në pjesën më të shtrenjtë të tregut europian, Luksemburgu vijon të mbajë vendin e parë, me një qira mesatare prej 45.4 eurosh për metër katror në muaj, nga 43.4 euro një vit më parë. Pas tij renditet Parisi me 31.2 euro, Barcelona me 30.9 euro dhe Dublini me 30.8 euro për metër katror. Një tjetër element interesant i raportit është se shtrenjtimi i qirave nuk përbën një fenomen të izoluar në disa tregje. Në shumicën dërrmuese të qyteteve të analizuara, çmimet u rritën gjatë vitit 2025, ndërsa vetëm një numër i kufizuar regjistroi ulje.

Ndër rastet e pakta me rënie përmenden Izmiri, me -5.7%, dhe Lyoni, me -5%. Në Izmir, zhvlerësimi i lirës turke ndaj euros ka ndikuar në uljen e vlerave të shprehura në monedhën europiane, ndërsa në Lion, kufizimet rregullatore mbi rritjen vjetore të qirave kanë kontribuar në këtë rezultat.

Qiratë u rritën mbi 20%/ Por Durrësi dhe Vlora, me kostot më

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat