Kosova Postuar më 5 November 2026, 10:57

Bankat, me tregues pozitivë - Komisioni Evropian vlerëson sektorin bankar në Kosovë

Nga Edel Strazimiri

Bankat, me tregues pozitivë - Komisioni Evropian vlerëson sektorin

Sektori bankar në Kosovë paraqitet i qëndrueshëm, me tregues pozitivë të kapitalizimit dhe cilësisë së kredive. Ky është vlerësimi i Komisionit Evropian në raportin për vitin 2026, të cilin e ka mirëpritur edhe Banka Qendrore e Kosovës.

Sipas të dhënave të BQK-së, në fund të qershorit të këtij viti, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit në sektorin bankar ishte 17.1%, ndërsa kreditë joperformuese përbënin vetëm 2% të totalit. Këta tregues, sipas institucionit, dëshmojnë qëndrueshmërinë e bankave dhe aftësinë e tyre për të mbështetur ekonominë.

Raporti i Komisionit Evropian vlerëson gjithashtu përparimin e Kosovës në përafrimin e legjislacionit financiar me standardet evropiane. Vëmendje i është kushtuar veçanërisht ligjit për shërbimet e pagesave, masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe përfshirjes së konceptit të Bankimit të Hapur, që synon modernizimin e shërbimeve financiare.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm është përgatitja për integrimin në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro, SEPA, që pritet të lehtësojë transfertat dhe të forcojë lidhjet financiare me vendet evropiane. Komisioni ka vlerësuar edhe hapat për përafrimin e rregullave bankare me standardet e BE-së dhe përcaktimin e BQK-së si autoritet përgjegjës për zgjidhjen e bankave në vështirësi.

Guvernatori Ahmet Ismaili e cilësoi vlerësimin e Komisionit Evropian si njohje të reformave të ndërmarra, duke theksuar se prioritet mbeten forcimi i mbikëqyrjes bankare, modernizimi i sistemeve të pagesave dhe përmirësimi i kuadrit rregullator.

BQK-ja synon që deri në fund të vitit 2027 të kalojë drejt një sistemi të plotë të mbikëqyrjes bankare të bazuar në rrezik. Institucioni ka bërë të ditur se do të vijojë zbatimin e reformave për të forcuar stabilitetin financiar dhe për të afruar më tej Kosovën me tregun evropian.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat