Shqipëria Postuar më 5 November 2026, 10:34

Progres në energji e transport - Raporti i Komisionit Evropian kërkon përshpejtim të reformave

Nga SCAN TV

Progres në energji e transport - Raporti i Komisionit Evropian kërkon

Shqipëria ka shënuar përparim në sektorin e energjisë, veçanërisht në zhvillimin e tregut të brendshëm të energjisë elektrike, por vijon të përballet me sfida që kërkojnë përshpejtim të reformave dhe forcim të kapaciteteve institucionale. Ky është vlerësimi i Komisionit Evropian në kuadër të raportit për procesin e integrimit evropian të vendit.

Një nga prioritetet kryesore për Shqipërinë është përshpejtimi i miratimit të Planit të përditësuar Kombëtar për Energjinë dhe Klimën 2021–2030, në përputhje me objektivat e Komunitetit të Energjisë për vitin 2030. Një tjetër rekomandim lidhet me forcimin e kapaciteteve të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, si dhe vijimin e hartimit dhe miratimit të akteve nënligjore për zbatimin e legjislacionit evropian. Në këtë kuadër, Komisioni thekson rëndësinë e krijimit të skemës së detyrimeve për efiçencën e energjisë dhe miratimit të rregulloreve për etiketimin energjetik.

Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe integrimit të tregut shqiptar të energjisë elektrike me atë të Bashkimit Evropian. Komisioni kërkon vijimin e zbatimit të Paketës së Integrimit të Energjisë Elektrike, me synimin që Shqipëria të bëhet pjesë e mekanizmit të bashkimit të tregjeve ditore të energjisë elektrike të BE-së deri në qershor 2026.

Sa i përket Kapitullit 21, që mbulon rrjetet trans-evropiane, Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria ka një nivel të caktuar përgatitjeje. Gjatë periudhës së raportimit është shënuar progres në zhvillimin e rrjeteve të transportit dhe energjisë, ndërsa vijon puna për përgatitjen e projekteve infrastrukturore.

Rekomandimet e Komisionit kërkojnë përshpejtimin e zbatimit të planit pesëvjeçar të punës për rrjetin trans-evropian të transportit (TEN-T), në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Transportit.

Po ashtu, Shqipëria duhet të vijojë zhvillimin e rrjeteve kryesore energjetike, në përputhje me strategjitë kombëtare dhe prioritetet e investimeve infrastrukturore.

Një tjetër detyrë e rëndësishme është përafrimi i mëtejshëm i kuadrit ligjor shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian për rrjetet TEN-T dhe TEN-E, si dhe forcimi i kapaciteteve administrative për zbatimin e këtyre standardeve.

Komisioni kërkon gjithashtu përshpejtimin e punës përgatitore dhe nisjen e investimeve për përfundimin e projekteve që lidhen me Korridorin Evropian të Transportit Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor.

Në tërësi, vlerësimi i Komisionit Evropian evidenton përparimin e Shqipërisë në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës, por nënvizon se përmbushja e detyrimeve në kuadër të integrimit evropian kërkon më shumë ritëm në miratimin e legjislacionit, forcimin e institucioneve dhe konkretizimin e investimeve strategjike.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat