Europa Postuar më 4 November 2026, 13:06

Fermerët, në protestë - Rreth 500 punonjës kërkojnë mbështetje përballë kostove në rritje në BE

Nga Edel Strazimiri

Fermerët, në protestë - Rreth 500 punonjës

Rreth 500 punonjës të sektorit bujqësor dhe përfaqësues sindikatash nga vende të ndryshme të Evropës protestuan të martën në Bruksel, duke kërkuar më shumë mbështetje nga Bashkimi Evropian. Ata kundërshtojnë rritjen e kostove të prodhimit, pasigurinë në punësim dhe të ardhurat e ulëta, ndërsa kërkojnë që këto shqetësime të merren parasysh në reformën e Politikës së Përbashkët Bujqësore.

Konfliktet gjeopolitike dhe shtrenjtimi i energjisë, karburanteve dhe lëndëve të para kanë rritur ndjeshëm shpenzimet për fermerët. Sipas përfaqësuesve të sektorit, çmimet e plehrave kimike janë dyfishuar, ndërsa kostot e larta dhe çmimet e ulëta të shitjes po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë vijimin e aktivitetit bujqësor.

Organizatorët e protestës, Federata Evropiane e Sindikatave të Ushqimit, Bujqësisë dhe Turizmit, theksuan se kriza nuk prek vetëm fermerët, por edhe miliona punonjës të sektorit. Në Evropë numërohen rreth 12 milionë punonjës në bujqësi, shumë prej të cilëve janë të angazhuar në punë sezonale ose të përkohshme, me paga të ulëta dhe siguri të kufizuar në punësim.

Sindikatat kërkojnë që fondet publike të Bashkimit Evropian të përdoren më mirë për të mbështetur prodhimin bujqësor dhe për të garantuar të drejtat bazë të punonjësve. Sipas tyre, rritja e kostove të prodhimit duhet të shoqërohet me masa konkrete për mbrojtjen e të ardhurave në këtë sektor.

Ndërkohë, vendet evropiane po përballen me kufizime në financat publike dhe nevojën për të mbuluar shpenzime të tjera, përfshirë ndihmën për Ukrainën. Kjo ka shtuar debatin mbi mënyrën se si duhet të shpërndahen fondet e BE-së, në një kohë kur bujqësia përballet me presion të vazhdueshëm nga shtrenjtimi i energjisë dhe plehrave kimike.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat