Analiza Postuar më 4 November 2026, 11:08

Tregjet rajonale, në fokus/ Çfarë po i pengon bizneset shqiptare të zgjerohen në rajon?

Nga Eldiona Serani

Tregjet rajonale, në fokus/ Çfarë po i pengon bizneset

Zgjerimi i aktivitetit të bizneseve shqiptare në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor duket se lidhet ngushtë me përmirësimin e infrastrukturës, lehtësimin e procedurave kufitare dhe harmonizimin e standardeve. Të dhënat e paraqitura nga RCC mbi faktorët që mund të rrisin interesin e kompanive për t'u zgjeruar në tregjet e tjera të rajonit tregojnë se këto janë disa nga përmirësimet kryesore që kërkohen nga bizneset shqiptare.

Sipas rezultateve, 86% e të anketuarve në Shqipëri identifikojnë përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore si një faktor që do të rriste interesin për zgjerim në vendet e tjera të rajonit. Ky tregues e vendos Shqipërinë në vendin e dytë mes vendeve të marra në analizë, pas Malit të Zi, ku kjo alternativë përmendet nga 90% e kompanive.

Një tjetër element i rëndësishëm është heqja e kontrolleve në kufij. Rreth 82% e bizneseve shqiptare e konsiderojnë këtë një përmirësim që do të lehtësonte zgjerimin e aktivitetit përtej kufijve kombëtarë. 

Po kështu, 84% e kompanive shqiptare vlerësojnë njohjen reciproke të kualifikimeve si një faktor që do të nxiste zgjerimin, ndërsa 77% përmendin njohjen e certifikimeve. Ndërkohë, harmonizimi i standardeve renditet gjithashtu ndër prioritetet kryesore, me 75% të përgjigjeve.

Krahasuar me mesataren rajonale, Shqipëria shfaq përqindje më të larta në të pesë kategoritë kryesore. Në krahasimin me vendet e tjera, Shqipëria spikat veçanërisht për rëndësinë që i jep njohjes së kualifikimeve dhe lehtësimit të kalimit kufitar. Për shembull, në Serbi, 74% e kompanive përmendin njohjen e kualifikimeve, ndërsa në Kosovë kjo përqindje është 72%. Në Shqipëri, treguesi arrin në 84%.

Të dhënat tregojnë se për bizneset shqiptare, zgjerimi në tregjet fqinje nuk varet vetëm nga mundësitë tregtare, por edhe nga ekzistenca e kushteve më të përafërta të funksionimit mes vendeve. 

Tregjet rajonale, në fokus/ Çfarë po i pengon bizneset

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat