Shqipëria Postuar më 4 November 2026, 11:01

Pushteti vendor, 114.6 miliardë lekë buxhet në vitin 2027/ Rritje e transfertave për bashkitë

Nga SCAN TV

Pushteti vendor, 114.6 miliardë lekë buxhet në vitin 2027/ Rritje

Mbështetja financiare për pushtetin vendor është një tjetër komponent i rëndësishëm i projektbuxhetit të vitit 2027. Buxheti vendor parashikohet në 114.6 miliardë lekë, me një rritje prej 2.4% krahasuar me vitin 2026, ndërsa transfertat nga Buxheti i Shtetit për njësitë e vetëqeverisjes vendore arrijnë në 49.4 miliardë lekë, ose 4% më shumë se një vit më parë. Në detaj, transferta e pakushtëzuar e përgjithshme parashikohet në 29.3 miliardë lekë, me rritje 5.2%, ndërsa transferta e pakushtëzuar sektoriale arrin në 19.9 miliardë lekë, me rritje 2.4%.

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, theksoi se këto financime synojnë të mbështesin funksionet e bashkive dhe përmirësimin e shërbimeve që ofrohen drejtpërdrejt për qytetarët.

“Në të gjithë treguesit financiarë të pushtetit vendor, ne vazhdojmë të kemi një rritje progresive, por ajo çfarë është më e rëndësishme është mbështetja që vazhdon dhe është për disa nga reformat kryesore të cilat do t'i bashkohen reformës territoriale. Së pari është digjitalizimi, që është një projekt i financuar nga Banka Botërore, që tashmë fillon implementimin në disa prej bashkive të vendit, duke filluar nga bashkia Tiranë, e cila do të garantojë digjitalizimin e shërbimeve vendore krahas atyre shërbimeve qeveritare, po i quajmë në nivel të qeverisë qendrore, por dhe shërbimet në nivel vendor, falë këtij projekti të financuar nga Banka Botërore. Ne shumë shpejt do të kemi një risi shumë të madhe përsa i përket shërbimeve vendore dhe mënyrës se si qytetari ndërvepron me bashkitë në vend.

Sipas ministrit Demo, AFMIS-i, që është një sistem i Ministrisë së Financave, por në fakt që ka një rol të rëndësishëm përsa i përket planifikimit, programimit për pushtetin vendor në tërësi, po ashtu i financuar nga Banka Botërore, është duke ecur me hapa të shpejtë. Ajo çfarë është e rëndësishme, sidomos për pjesën e pushtetit vendor nga pikëpamja politikëbërjes, është dashbord-i i cili do të krijohet nëpërmjet këtij sistemi për të kuptuar në kohë reale se si është situata financiare në çdo bashki të vendit. Dhe për të parë më mirë, jo vetëm alokimin e burimeve të qeverisë qendrore, por në të njëjtën kohë për të bërë politika edhe për t'i ardhur në ndihmë vetë bashkive në nivel lokal.

Referuar reformës administrativo-territoriale, ministri Demo u shpreh se efektet do të jenë pozitive, por do të jenë të shtrira në kohë. “Reforma hyn në fuqi pothuajse në mes të vitit buxhetor, pas zgjedhjeve lokale, vetvetiu viti 2027 do të jetë një vit tranzicioni për administratat, për buxhetet, sepse edhe buxhetet që ne tashmë do të alokojmë nëpërmjet buxhetit të shtetit, ato do të transferohen në një moment të caktuar te bashkitë e reja, dhe ne jemi të fokusuar që 2027 të jetë një vit që të eci me shpejtësi për sa i përket konsolidimit të bashkive të reja dhe të qenit gati për sa i përket planifikimeve që do të duhet të kenë për vitin 2028”, theksoi ministri i Brendshëm.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat