Analiza Postuar më 4 November 2026, 11:46

Kapitali grek humbet terren/ Holanda kryeson, Bullgaria dhe Zvicra fitojnë më shumë peshë

Nga Xhorxhina Deda

Kapitali grek humbet terren/ Holanda kryeson, Bullgaria dhe Zvicra fitojnë

Harta e investimeve të huaja në Shqipëri ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit. Greqia, dikur investitorja më e madhe në vend, ka humbur pozicionin dominues, ndërsa Holanda, Zvicra dhe vende të tjera kanë forcuar praninë e tyre. Analiza e Scan Intel, bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, tregon një rikonfigurim të rëndësishëm të origjinës së kapitalit të huaj.

Në fund të vitit 2016, stoku i investimeve të huaja direkte arrinte në 5.68 miliardë euro, ndërsa në fund të vitit 2025 ishte rritur në 17.02 miliardë euro. Brenda nëntë viteve, kapitali i akumuluar pothuajse është trefishuar, duke shënuar një zgjerim prej rreth 200%.

Ndryshimin më të fortë e ka regjistruar Greqia. Në vitin 2016, ajo kryesonte renditjen me 1.23 miliardë euro investime, duke përfaqësuar 21.7% të totalit. Në fund të vitit 2025, stoku kishte zbritur në 278.5 milionë euro dhe pesha në vetëm 1.6%. Kjo përfaqëson një tkurrje prej 20.1 pikësh përqindjeje, më e madhja ndër vendet e analizuara.

Në drejtim të kundërt ka lëvizur Holanda, e cila është ngjitur në krye të renditjes. Stoku i investimeve holandeze është rritur nga 718 milionë euro në vitin 2016 në 2.76 miliardë euro në vitin 2025, duke e zgjeruar peshën nga 12.6% në 16.2%.

Zvicra ka forcuar gjithashtu praninë, me një stok që arriti në 2.35 miliardë euro, ndërsa pesha e saj u rrit nga 9.7% në 13.8%. Kanadaja mbetet një tjetër investitor i rëndësishëm, duke u renditur e treta në vitin 2025, me 2.06 miliardë euro. Megjithëse stoku kanadez është rritur ndjeshëm, pesha e tij ka zbritur nga 13% në 12.1%.

Edhe Turqia ruan një pozicion të rëndësishëm. Stoku i investimeve turke është rritur nga 512.9 milionë euro në 1.38 miliardë euro, ose me rreth 168%. Megjithatë, pesha e saj ka zbritur nga 9% në 8.1%, duke e renditur si investitoren e pestë më të madhe.

Ndër zhvillimet më të spikatura është ngjitja e Bullgarisë dhe Hungarisë. Bullgaria ka kaluar nga 18.1 milionë euro investime në 874.7 milionë euro, ndërsa Hungaria nga 0.4 milionë në 557.5 milionë euro. Edhe Kosova ka zgjeruar ndjeshëm praninë, nga 41.6 milionë në 583.8 milionë euro, duke e rritur peshën nga 0.7% në 3.4%.

Të dhënat më të fundit tregojnë se në fund të qershorit 2026, stoku i investimeve të huaja arriti në 18.42 miliardë euro. Holanda vijonte të kryesonte me 2.93 miliardë euro, e ndjekur nga Zvicra, Kanadaja dhe Italia.

Megjithatë, ndryshimet në stok nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht vetëm hyrje apo tërheqje kapitali, pasi ndikohen edhe nga ndryshimet e pronësisë, rivlerësimet dhe faktorë të tjerë financiarë. Gjithashtu, vendi i regjistruar i investitorit nuk është domosdoshmërisht vendi i pronarit përfundimtar.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat