Amerika Postuar më 4 November 2026, 10:34

Trump fajëson Iranin - Presidenti pranon ndikimin e luftës në humbjen e republikanëve

Nga Edel Strazimiri

Trump fajëson Iranin - Presidenti pranon ndikimin e luftës në

Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar se lufta me Iranin ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, ku republikanët pësuan humbje, ndërsa demokratët siguruan kontrollin e Kongresit. Megjithatë, ai ka pretenduar se rezultati do të kishte qenë krejt ndryshe nëse emri i tij do të ishte në fletëvotim.

“Nuk isha në fletëvotim dhe, po të isha, do të kishim fituar bindshëm”, shkroi Trump në platformën Truth Social, pas zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Sipas agjencisë Associated Press, presidenti kishte zhvilluar një fushatë intensive në mbështetje të kandidatëve republikanë, duke u kërkuar votuesve të silleshin sikur ai vetë të ishte në garë. Megjithatë, disa prej kandidatëve të mbështetur prej tij humbën, edhe në shtete tradicionalisht republikane.

Në një intervistë për Fox News, Trump pranoi se konflikti me Iranin ishte një nga faktorët që ndikuan në votën e amerikanëve, por mbrojti vendimin për vazhdimin e luftës. Konflikti, që ka zgjatur prej disa muajsh, ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve të karburanteve dhe kostos së jetesës në SHBA.

Përveç luftës, pakënaqësia për çmimet e larta dhe politikat tarifore ka rënduar pozitat e republikanëve. Sipas raportimeve, strategë të partisë kishin paralajmëruar se vazhdimi i konfliktit mund të ndikonte negativisht në zgjedhjet e mesmandatit. Rezultati shihet si një sinjal paralajmërues për republikanët përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Humbja pritet të ndikojë edhe në raportet mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit, duke e bërë më të vështirë miratimin e agjendës së Trumpit.

Pas humbjes, Trump ka paralajmëruar përplasje me demokratët në Kongres, duke deklaruar se do të përdorë veton presidenciale ndaj nismave që nuk përputhen me politikat e tij. Megjithatë, ai la të hapur mundësinë e bashkëpunimit në të ardhmen, pavarësisht tensioneve politike që pritet të shoqërojnë muajt e ardhshëm.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat