Analiza Postuar më 3 November 2026, 15:31

Urgjenca, objektivi 12 minuta/ Si krahasohet Shqipëria me përvojën europiane?

Nga Xhorxhina Deda

Urgjenca, objektivi 12 minuta/ Si krahasohet Shqipëria me

Tre minuta më pak pritje për ambulancën. Ky është objektivi i qeverisë për shërbimin e urgjencës mjekësore gjatë tre viteve të ardhshme, ndërkohë që parashikohet edhe një rritje e numrit të thirrjeve që duhet të adresohen.

Sipas relacionit të projektbuxhetit 2027, koha mesatare e reagimit të urgjencës mjekësore synohet të ulet nga 15 minuta, niveli i parashikuar për vitin 2026, në 12 minuta në vitin 2029. Kjo përfaqëson një shkurtim prej 20% të kohës së pritjes.

Por objektivi bëhet më sfidues kur merret parasysh edhe ngarkesa e shërbimit. Numri i thirrjeve të adresuara nga njësitë e urgjencës parashikohet të rritet nga 400 mijë në vitin 2026 në 460 mijë në vitin 2029, ose 15% më shumë.

Pra, qeveria synon t'u përgjigjet më shpejt qytetarëve, ndërsa shërbimi pritet të përballojë një volum më të madh thirrjesh.

Por si krahasohet ky objektiv me përvojën europiane?

“Scan Intel” ka marrë në analizë të dhënat për të parë se si ndryshon koha në varësi të rasteve të ndryshme në vendet eiropiane. Në Europë, koha e mbërritjes së ambulancave ndryshon ndjeshëm. Në Holandë, gjatë vitit 2025, mesatarja për emergjencat prioritare ishte 10 minuta e 19 sekonda, ndërsa në Angli, në mars 2026, ishte 7 minuta e 46 sekonda për rastet më kritike dhe 26 minuta e 18 sekonda për kategorinë e dytë. Në Uells, koha mediane për rastet më kritike ishte 7 minuta e 31 sekonda, në Suedi 14 minuta e 57 sekonda, ndërsa në Norvegji 10.5 minuta në zonat urbane dhe 15.5 minuta në ato rurale.

Një studim i Komisionit Europian mbi aksidentet rrugore tregon se 95% e ndërhyrjeve u realizuan brenda 18 minutave e 18 sekondave në Gjermani, 20 minutave në Çeki, 23 minutave e 30 sekondave në Letoni, 24 minutave e 42 sekondave në Austri dhe 26 minutave e 1 sekonde në Finlandë. Koha ishte më e gjatë në Portugali, me 29 minuta e 26 sekonda, Belgjikë me 32 minuta, Suedi me 32 minuta e 31 sekonda dhe Greqi me 53 minuta e 36 sekonda.

Megjithatë, këto të dhëna nuk janë drejtpërdrejt të krahasueshme, pasi përfshijnë kategori të ndryshme urgjencash dhe përdorin mënyra të ndryshme matjeje si kohën mesatare, medianën ose kohën brenda së cilës realizohen 95% e ndërhyrjeve. Për Shqipërinë, relacioni nuk jep të dhëna të ndara sipas urgjencës apo vendndodhjes, ndërsa 15 minutat e vitit 2026 mbeten të pakonfirmuara si rezultat faktik.

Urgjenca, objektivi 12 minuta/ Si krahasohet Shqipëria meUrgjenca, objektivi 12 minuta/ Si krahasohet Shqipëria me

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat