Europa Postuar më 3 November 2026, 12:42

Britania shtrëngon rregullat - Emigrantët do të presin deri në 10 vjet për qëndrim të përhershëm

Nga Edel Strazimiri

Britania shtrëngon rregullat - Emigrantët do të presin deri

Qeveria britanike ka prezantuar rregulla më të rrepta për emigrantët që synojnë të vendosen përgjithmonë në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas modelit të ri, periudha e pritjes për shumicën e punonjësve të huaj do të dyfishohet, nga pesë në 10 vjet, për të përfituar lejen e qëndrimit të përhershëm.

Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, bëri të ditur se sistemi i ri do të marrë në konsideratë të ardhurat, kontributin në shoqëri dhe respektimin e rregullave të emigracionit. Personat me të ardhura të larta do të mund të përfitojnë qëndrim të përhershëm pas tre vitesh, ndërsa disa profesionistë, përfshirë mjekët, infermierët dhe mësuesit, do të ruajnë mundësinë për ta marrë pas pesë vitesh, nëse plotësojnë kriteret.

Pas kundërshtimeve nga sindikatat dhe brenda Partisë Laburiste, qeveria ka parashikuar përjashtime edhe për punonjësit e kujdesit social që plotësojnë kushtet përkatëse, të cilët do të mund të aplikojnë pas pesë vitesh.

Masat parashikojnë pritje deri në 20 vjet për personat që shkelin rregullat e emigracionit. Ndërsa ata që hyjnë në vend me gomone ose përmes rrugëve të tjera të paligjshme mund të përballen me një periudhë shtesë prej 10 vitesh, duke e çuar pritjen deri në 30 vjet.

Refugjatët që mbërrijnë përmes rrugëve të miratuara do të mund të aplikojnë për qëndrim të përhershëm pas pesë vitesh. Rregullat e reja pritet të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm dhe nuk do të prekin personat që e kanë fituar tashmë statusin e qëndrimit të përhershëm.

Qeveria tha se ndryshimet synojnë të krijojnë një sistem ku qëndrimi i përhershëm fitohet përmes kontributit dhe integrimit, dhe jo vetëm për shkak të kohës së kaluar në vend. Gjatë konsultimit publik, propozimet morën më shumë se 200 mijë përgjigje, ku u ngritën shqetësime për drejtësinë e sistemit dhe ndikimin te emigrantët që jetojnë tashmë në Britani.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat