Analiza Postuar më 3 November 2026, 11:31

Çmimet rriten mbi 6%/ Shqipëria mbetet ndër vendet me banesat më të lira në Europë

Nga Eldiona Serani

Çmimet rriten mbi 6%/ Shqipëria mbetet ndër vendet me banesat

Tregu shqiptar i pasurive të paluajtshme vijon të pozicionohet ndër më të përballueshmit në Europë për sa i përket çmimeve mesatare të banesave, por kjo nuk e ka ndalur tendencën rritëse. Në vitin 2025, çmimi mesatar arriti në 1,720 euro për metër katror, me një rritje prej 6.17% krahasuar me një vit më parë, sipas raportit Deloitte Property Index 2026.

Në renditjen e 22 vendeve europiane të analizuara, Shqipëria pozicionohet në vendin e tretë nga fundi për nivelin e çmimeve, duke lënë pas vetëm Serbinë, ku metri katror kushton mesatarisht 1,706 euro, dhe Turqinë me 864 euro. Diferenca me disa prej tregjeve të tjera europiane është e konsiderueshme. Në Greqi, për shembull, çmimi mesatar arrin në 1,931 euro për metër katror, ndërsa në Çeki kalon 5,400 euro.

Megjithatë, tabloja ndryshon kur shihet ritmi i rritjes. Gjatë vitit 2025, çmimet e banesave në Shqipëri u shtrenjtuan me 6.17%, një normë që dëshmon vijimin e presionit në tregun vendas. Rritja ishte më e lartë se në Serbi, ku çmimet ranë me 2.51%, si dhe në Itali, ku u regjistrua një tkurrje prej 0.25%.

Në rajon, zhvillimi më i fortë u regjistrua në Kroaci, ku çmimet u rritën me 14.26%, ndërsa Rumania kryesoi klasifikimin europian me 14.38%. Edhe Sllovakia dhe Hungaria shënuan rritje dyshifrore, përkatësisht 12.46% dhe 10.89%.

Në anën tjetër, Luksemburgu mbetet tregu më i shtrenjtë në Europë, me një çmim mesatar prej 9,160 euro për metër katror, i ndjekur nga Republika Çeke, Gjermania dhe Austria, ku çmimet kalojnë 5,000 euro për metër katror.

Të dhënat tregojnë se, ndonëse Shqipëria vijon të ketë një nivel mesatar çmimesh më të ulët se shumica e tregjeve europiane, tendenca e shtrenjtimit mbetet e pranishme. Raporti nënvizon se zhvillimet në tregjet e banesave ndikohen nga kërkesa, oferta e disponueshme, kostot e ndërtimit, kushtet e financimit dhe faktorët ekonomikë të secilit vend.

Çmimet rriten mbi 6%/ Shqipëria mbetet ndër vendet me banesat

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat