Shqipëria Postuar më 3 November 2026, 12:24

Sëmundjet, zbulim me IA - Parashikohen 150 mln lekë investime deri në 2029 

Nga Diamila Leka

Sëmundjet, zbulim me IA -  Parashikohen 150 mln lekë investime

Inteligjenca artificiale në shëndetësi, digjitalizimi i pushtetit vendor dhe modernizimi i sistemeve të drejtësisë janë disa nga drejtimet ku do të fokusohen investimet e reja të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Në listën e projekteve për vitin 2027, të financuara nga investimet e brendshme publike, parashikohen disa nisma me vlerë qindra milionë lekë, të cilat shtrihen në disa vite, edhe përtej vitit 2029.

Një prej projekteve është zbulimi dhe detektimi i hershëm i sëmundjeve përmes përdorimit të inteligjencës artificiale. Për këtë nismë është parashikuar një investim prej 150 milionë lekësh, me afat zbatimi deri në vitin 2029. Projekti synon të sjellë teknologjinë e inteligjencës artificiale në proceset e identifikimit të hershëm të sëmundjeve, duke krijuar mundësi për ndërhyrje më të shpejta në shëndetësi. 

Por investimi më i madh ndër këto nisma është digjitalizimi i pushtetit vendor. Për këtë projekt është parashikuar një financim prej 4 miliardë e 75 milionë lekësh, duke e bërë atë projektin me vlerën më të lartë në këtë listë. Zbatimi do të shtrihet në disa vite, me financim që vijon edhe përtej vitit 2029.

Një tjetër ndërhyrje lidhet me sistemin e kartelave të të dënuarve. Për përmirësimin e këtij sistemi janë parashikuar 70 milionë lekë, ndërsa projekti do të vijojë deri në vitin 2029. Investimi synon përmirësimin e administrimit dhe përpunimit të të dhënave përmes sistemeve digjitale.

Në listën e projekteve përfshihet edhe Regjistri Kombëtar i Rinisë, për të cilin është parashikuar një fond prej 60 milionë e 25 mijë lekësh. Ky projekt ka një afat zbatimi deri në vitin 2028 dhe synon krijimin e një sistemi të dedikuar për regjistrimin dhe administrimin e të dhënave që lidhen me të rinjtë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat