Shqipëria Postuar më 3 November 2026, 15:16

Siguria kibernetike - 72 biznese në Shqipëri, 28 u regjistruan vitin e fundit

Nga Edel Strazimiri

Siguria kibernetike - 72 biznese në Shqipëri, 28 u regjistruan vitin e

Siguria kibernetike po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, në kushtet e zgjerimit të shërbimeve digjitale dhe rritjes së rreziqeve ndaj infrastrukturës kritike. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se forcimi i mbrojtjes kibernetike është kthyer në prioritet, veçanërisht pas sulmit të vitit 2022.

Gjatë Konferencës Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, Ibrahimaj theksoi se janë shtuar kapacitetet institucionale dhe financiare, është miratuar legjislacioni përkatës dhe po punohet për strategjinë e zhvillimit të sektorit. Paralelisht, po ngrihen ekipe sektoriale për reagimin ndaj incidenteve kibernetike.

Ministrja nënvizoi se mbrojtja nga sulmet digjitale nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve publike, por kërkon edhe investime nga bizneset. Sipas saj, sulmet mund të ndërpresin aktivitetin ekonomik, të cenojnë të dhënat dhe të paralizojnë shërbimet, duke e bërë parandalimin një domosdoshmëri për sipërmarrjet.

Një tjetër fokus është formimi i specialistëve të rinj. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit janë hartuar kurrikula për përfshirjen e sigurisë kibernetike në sistemin arsimor, ndërsa arsimi profesional dhe kurset e formimit synojnë të plotësojnë nevojat në rritje për ekspertë të fushës.

Sektori privat po shihet gjithashtu si një faktor kyç në zhvillimin e shërbimeve të specializuara. Sipas Ibrahimajt, deri tani janë financuar gjashtë startup-e në fushën e sigurisë kibernetike. Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se në Shqipëri operojnë 72 biznese me fokus kryesor këtë sektor, nga të cilat 28 janë regjistruar gjatë vitit të fundit.

Ibrahimaj vlerësoi se përvoja e krijuar dhe niveli i digjitalizimit të shërbimeve publike mund ta ndihmojnë Shqipërinë të luajë një rol më të rëndësishëm në sigurinë kibernetike rajonale. Ajo theksoi se vendi synon të jetë një partner i besueshëm dhe të kontribuojë në forcimin e mbrojtjes digjitale në rajon.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat