Analiza Postuar më 4 November 2026, 13:12

Leku u forcua me 2.85%/ Shqipëria, ndër vendet me lëvizjet më të mëdha të kursit të këmbimit

Nga Scan TV

Leku u forcua me 2.85%/ Shqipëria, ndër vendet me lëvizjet

Forcimi i lekut ndaj euros gjatë vitit 2025 e vendos Shqipërinë ndër vendet me lëvizjet më të theksuara të kursit të këmbimit në Europë. Sipas të dhënave të paraqitura në raportin Property Index 2026 të Deloitte, euro humbi 2.85% të vlerës kundrejt lekut.Lëvizjet e kursit mund të ndryshojnë vlerën e raportuar të një prone, edhe në rastet kur çmimi i saj në monedhën vendase nuk ka pësuar të njëjtin ndryshim.

Në raportin e publikuar, Shqipëria renditet e treta për këtë tregues, pas Turqisë, ku euro u zhvlerësua me 25.76%, dhe para Republikës Çeke, me 1.70%, dhe Polonisë, me 1.52%. Këto të dhëna tregojnë se monedhat vendase në këto vende kanë fituar vlerë kundrejt euros, duke ndikuar në rezultatet e krahasimeve të tregjeve të banesave.

Në kahun e kundërt paraqiten disa ekonomi ku euro është forcuar ndaj monedhave kombëtare. Rritja më e madhe pasqyrohet në Rumani, me 1.34%, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar me 1.06%, Norvegjia me 0.77% dhe Hungaria me 0.69%. Ndërkohë, në Serbi dhe Danimarkë lëvizjet kanë qenë minimale, përkatësisht 0.10% dhe 0.06%, ndërsa në Bullgari kursi ka qëndruar pothuajse i pandryshuar.

Në vendet jashtë Eurozonës, forcimi i monedhës vendase mund të rrisë vlerën e banesave të shprehur në euro, edhe nëse çmimi i tyre në monedhën kombëtare nuk ka ndryshuar në të njëjtën masë.Për këtë arsye, lëvizjet e kursit të këmbimit duhen analizuar së bashku me faktorët që përcaktojnë realisht çmimet e pronave, si kërkesa, oferta dhe zhvillimet e tregut. Në rastin e Shqipërisë, forcimi i lekut përbën një faktor të rëndësishëm në leximin e të dhënave dhe në krahasimin e çmimeve të banesave me vendet e tjera europiane.

Leku u forcua me 2.85%/ Shqipëria, ndër vendet me lëvizjet

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat