Shqipëria Postuar më 4 November 2026, 13:38

Shqipëria përparon drejt BE - Progres raporti: Synohet mbyllja e të gjithë kapitujve deri në fund të vitit 2027

Nga Diamila Leka

Shqipëria përparon drejt BE - Progres raporti: Synohet mbyllja e

Komisioni Evropian ka publikuar sot raportin e progresit për vendet kandidate, që synojnë anëtarësimin në BE. Në raportin për Shqipërinë, nënvizohet se vendi ka shënuar përparim në procesin e integrimit evropian, duke hapur grupkapitullin e fundit të mbetur të negociatave me Bashkimin Evropian, përmbushur standardet e ndërmjetme të grupkapitullit të parë, “Themeloret”, si dhe duke mbyllur përkohësisht katër kapituj negociues.

Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian për periudhën raportuese, autoritetet shqiptare kanë vijuar zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ndërsa kanë vazhduar edhe takimet e përbashkëta mes institucioneve shqiptare dhe atyre të BE-së.

“Integrimi evropian mbetet objektivi kryesor strategjik i Shqipërisë. Qeveria shqiptare ka shprehur angazhimin për mbylljen e të gjithë kapitujve të negociatave deri në fund të vitit 2027. Megjithatë, Komisioni Evropian thekson se ruajtja e ritmit të reformave dhe zbatimi i tyre me cilësi të lartë do të jenë vendimtare për përmbushjen e këtij objektivi”, theksohet në raportin e progresit.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i raportit është zbatimi i Planit të Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ku Shqipëria ka nisur të japë rezultate në të katër shtyllat e tij. Në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje (RGF), Shqipëria ka në dispozicion mbi 920 milionë euro në grante dhe kredi deri në fund të periudhës së parashikuar.

Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria ka përmbushur 33 nga 66 hapat e përcaktuar deri në dhjetor 2025, ndërsa ka shënuar progres të konsiderueshëm edhe në shumicën e hapave të tjerë.

Pavarësisht progresit të evidentuar në negociatat e anëtarësimit dhe zbatimin e reformave, Komisioni Evropian nënvizon rëndësinë e vijimit të angazhimit institucional dhe përmbushjes së standardeve evropiane për të avancuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat