Europa Postuar më 5 November 2026, 10:56

Greqia, rekord çmimesh - Me inflacionin 5.6%, vendi renditet ndër më të shtrenjtët në eurozonë

Nga Edel Strazimiri

Greqia, rekord çmimesh - Me inflacionin 5.6%, vendi renditet ndër

Greqia po përballet me një valë të re shtrenjtimi, ndërsa inflacioni arriti në 5.6% në tetor, duke e renditur vendin në vendin e tretë në eurozonë, së bashku me Italinë. Të dhënat e Eurostat tregojnë se kostoja e jetesës në Greqi po rritet më shpejt se mesatarja e vendeve që përdorin monedhën e përbashkët, duke shtuar presionin mbi buxhetet familjare.

Inflacioni në vend ka shënuar rritje të vazhdueshme gjatë muajve të fundit. Nga 2.7% në korrik, ai u ngjit në 3.7% në gusht, 5.1% në shtator dhe arriti në 5.6% në tetor.

Goditjen më të fortë e kanë dhënë çmimet e energjisë, të cilat u rritën me 26.5% në bazë vjetore. Ndërkohë, shërbimet u shtrenjtuan me 6.3%, ndërsa ushqimet, alkooli dhe duhani shënuan një rritje prej 1.4%.

Edhe inflacioni bazë, që përjashton energjinë dhe ushqimet, u rrit në 4.7%, nga 4.6% një muaj më parë. Në eurozonë, ky tregues mbeti i pandryshuar në 2.5%, duke treguar se presionet mbi çmimet në Greqi janë dukshëm më të forta.

Në renditjen evropiane, inflacionin më të lartë e regjistroi Lituania me 6.1%, e ndjekur nga Bullgaria me 6%. Greqia dhe Italia ndajnë vendin e tretë me 5.6%. Në anën tjetër, normat më të ulëta u shënuan në Maltë me 2.3%, Gjermani me 2.8% dhe Sllovaki me 2.9%.

Zhvillimet në muajt e ardhshëm do të varen në një masë të madhe nga ecuria e çmimeve të energjisë dhe ndikimi i tyre në mallra e shërbime. Për familjet greke, kjo nënkupton vijimin e presionit mbi shpenzimet e përditshme.

Rritja e vazhdueshme e çmimeve po vështirëson gjithashtu fuqinë blerëse të qytetarëve, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë përballimin e shpenzimeve mujore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat