Europa Postuar më 22 October 2026, 10:13

“E ardhmja e rajonit, në BE” - Europa u përgjigjet paralajmërimeve ruse për Ballkanin Perëndimor

Nga Edel Strazimiri

“E ardhmja e rajonit, në BE” - Europa u përgjigjet

Bashkimi Evropian (BE) ka një përgjigje ndaj paralajmërimeve ruse për vendet e Ballkanit Perëndimor: e ardhmja e tyre është në BE. 

Ky është mesazhi që Brukseli përcjell pas deklaratës së zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova. Në mesin e këtij muaji, ajo i kishte “paralajmëruar” vendet e rajonit se integrimi evropian nuk është më vetëm çështje anëtarësimi, por nënkupton edhe pranimin e politikës së Brukselit ndaj Moskës.

E pyetur se si mund t'i mbrojë vendet që synojnë anëtarësimin nga pasojat e paralajmërimeve ruse, Komisioni Evropian tha se “lufta kundër manipulimit të informacionit nga jashtë, dezinformimit dhe kërcënimeve të tjera hibride është pjesë përbërëse e procesit të anëtarësimit”.

“Mbrojtja e procesit të integrimit evropian dhe e integritetit të mediave nga dezinformimi dhe manipulimi i informacionit nga jashtë është me rëndësi thelbësore”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë (REL).

Mesazhet nga Moska nuk janë diçka e re për vendet e Ballkanit Perëndimor që po përparojnë drejt integrimit evropian dhe euroatlantik. Zyrtarët rusë prej vitesh kritikojnë zgjerimin e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.

Përplasja e fundit pasoi vendimin e Podgoricës për ta hequr nga nëntori regjimin pa viza për shtetasit rusë, vendim të cilin Ambasada e Rusisë në Mal të Zi e cilësoi si “veprim armiqësor”. Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme të Malit të Zi, anëtarësimin në BE e mbështesin mbi 80 për qind e qytetarëve.

Ndërkohë, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova i kanë harmonizuar politikat e tyre të jashtme dhe të sigurisë me ato të BE-së, përfshirë sanksionet e vendosura ndaj Rusisë pas nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.

Bosnje e Hercegovina për shkak të sistemit të ndërlikuar të vendimmarrjes, nuk i zbaton plotësisht të gjitha vendimet e Brukselit, ndërsa Serbia është i vetmi vend i rajonit që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës. Megjithatë, Bashkimi Evropian mbetet bindshëm partneri më i madh tregtar i të gjitha vendeve të rajonit, përfshirë Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat