Shqipëria Postuar më 22 October 2026, 15:21

“Superspital” për zemrën në Tiranë? Projekti i ri 10 mijë metra katrorë te Sanatoriumi

Nga Scan TV

“Superspital” për zemrën në Tiranë? Projekti i

Një spital i ri i specializuar për sëmundjet kardiovaskulare, me rreth 90 shtretër dhe pesë salla operacioni, parashikohet të ndërtohet në territorin e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Projekti synon zgjerimin e kapaciteteve spitalore, përmirësimin e kushteve të trajtimit dhe zhvillimin e shërbimeve të specializuara të kardiologjisë, kardiokirurgjisë dhe kirurgjisë torakale.

Sipas detyrës së projektimit, godina e re propozohet të ketë deri në pesë kate mbi tokë dhe dy nivele parkimi nëntokësor, me një sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi të parashikuar prej 10 mijë e 297 metrash katrorë, përfshirë edhe shtesën në një nga godinat ekzistuese.

Organizimi i spitalit është konceptuar sipas funksioneve mjekësore. Kati përdhe do t'u shërbejë konsultave të përgjithshme, ndërsa kati i parë do të përfshijë bllokun operator me pesë salla: dy për kardiokirurgjinë, dy për kirurgjinë torakale dhe një sallë hibride për procedura të kombinuara të hemodinamikës dhe kardiokirurgjisë.

Projekti përfshin gjithashtu ndërtimin e dy kateve nëntokësore, me kapacitet të pritshëm prej 110 deri në 140 vendesh parkimi. Një pjesë e tyre do të rezervohet për personelin spitalor dhe personat me aftësi të kufizuara, ndërsa 10 për qind e vendeve parashikohet të pajisen ose të përgatiten për instalimin e pikave të karikimit të automjeteve elektrike.

Një tjetër ndërhyrje e rëndësishme është shtimi i një kati mbi godinën ekzistuese të Qendrës së Ekzaminimeve, ku aktualisht ofrohen shërbime të imazherisë dhe ekzaminimeve të tjera. Shtesa, me sipërfaqe të propozuar prej rreth 660 metrash katrorë, synon të krijojë ambiente për shërbimin e reanimacionit dhe kujdesit intensiv.

Në këtë fazë parashikohet hartimi i projektidesë, vlerësimi i fizibilitetit tekniko-ekonomik dhe përllogaritja paraprake e kostos së investimit. Për rrjedhojë, vlera përfundimtare e ndërtimit dhe afatet e realizimit të tij nuk janë përcaktuar ende në dokumentacionin e publikuar.

Zhvillimi i parashikuar përfaqëson një hap drejt zgjerimit të infrastrukturës së specializuar spitalore, me synimin për ta transformuar kompleksin “Shefqet Ndroqi” në një kampus universitar më të integruar, ku shërbimet mjekësore, teknologjia dhe kërkimi shkencor të funksionojnë së bashku.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat