Europa Postuar më 22 October 2026, 12:33

“Dhuna, jo rruga e duhur”! - Nga Budva, kancelari gjerman kërkon reforma, bashkëpunim dhe integrim europian

Nga Edel Strazimiri

“Dhuna, jo rruga e duhur”! - Nga Budva, kancelari gjerman

Kancelari gjerman Friedrich Merz u bëri thirrje gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor të thellojnë bashkëpunimin rajonal dhe të vijojnë reformat për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Gjatë qëndrimit në Budva, Mali i Zi, Merz u ndal edhe te protestat në rajon, duke theksuar se dhuna nuk duhet të jetë kurrë një alternativë, pavarësisht palës që e përdor.

Duke folur për Procesin e Berlinit, kancelari gjerman nënvizoi se përparimi drejt BE-së varet nga reformat e ndërmarra brenda secilit vend, si dhe nga bashkëpunimi dhe pajtimi mes shteteve të rajonit. Sipas tij, gjatë 12 viteve të fundit janë shënuar përparime në lëvizjen e lirë, turizëm, investime dhe agjendën e gjelbër, por nevojiten përpjekje të mëtejshme për të përshpejtuar integrimin.

Merz theksoi se një treg i përbashkët rajonal do të ishte më tërheqës për investitorët sesa gjashtë tregje të ndara, duke sjellë më shumë mundësi ekonomike për qytetarët dhe bizneset. Ai nënvizoi se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian duhet të bazohet në meritë dhe se reformat duhet të vijnë nga vetë vendet kandidate.

Kancelari gjerman theksoi gjithashtu se bashkëpunimi rajonal nuk është thjesht një objektiv politik, por një mundësi konkrete për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Ai solli si shembuj mundësinë që profesionistët të punojnë në vende të tjera të rajonit dhe që bizneset të zgjerohen përtej kufijve, duke e cilësuar integrimin ekonomik një faktor të rëndësishëm për zhvillimin dhe afrimin mes vendeve.

Duke iu referuar protestave në Ballkanin Perëndimor dhe në vendet europiane, Merz tha se ato përcjellin një mesazh të qartë për nevojën e vazhdimit të procesit të zgjerimit, në mënyrë që qytetarët të përfitojnë konkretisht prej tij. “Dhuna nuk duhet të jetë kurrë një opsion nga asnjëra palë”, deklaroi kancelari gjerman.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat