Europa Postuar më 22 October 2026, 11:53

Italia “paralizohet” - Protestat e transportuesve boshatisin supermarketet dhe lënë aeroportet pa karburant

Nga Edel Strazimiri

Italia “paralizohet” - Protestat e transportuesve boshatisin

Protestat e shoferëve të kamionëve në jug të Italisë, të nxitura nga rritja e çmimeve të naftës dhe kostove të transportit, kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimeve, boshatisje të rafteve në supermarkete dhe mungesë karburanti në dy aeroporte. Qeveria italiane ka paralajmëruar ndëshkime penale, përfshirë burgimin, për protestuesit që bllokojnë rrugët, ndërsa policia po ndërhyn për të rikthyer qarkullimin.

Sipas të dhënave qeveritare, policia ka identifikuar 1.339 persona, ka referuar 71 prej tyre pranë autoriteteve dhe ka vendosur 242 gjoba administrative. Ministria e Brendshme ka urdhëruar gjithashtu shoqërimin policor të kamionëve për të garantuar lëvizjen e mallrave, përfshirë 500 mjete vetëm në rajonin e Kampanjës.

Në përpjekje për të frenuar krizën, qeveria po shqyrton një mekanizëm fleksibël për kufizimin e çmimeve të benzinës dhe naftës. Ministri i Industrisë, Adolfo Urso, ka njoftuar mbi një miliard euro mbështetje për sektorin e transportit, ku 434,8 milionë euro janë parashikuar për kompensimin e kostove më të larta të naftës, ndërsa rreth 590 milionë euro do të shkojnë për modernizimin e flotave të automjeteve.

Ndërkohë, bllokadat kanë penguar dërgesat e ushqimeve drejt dyqaneve dhe qendrave të shpërndarjes, duke lënë produkte të freskëta, përfshirë fruta dhe qumësht, të bllokuara në pikat e prodhimit. Kryetarët e bashkive të Napolit dhe Barit kanë kërkuar ndërhyrje urgjente nga qeveria, duke paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet më tej. Përveç furnizimit me ushqime, janë prekur edhe grumbullimi i mbetjeve dhe transporti publik.

Kriza është shtrirë edhe në transportin ajror. Aeroportet e Krotones dhe Rexho Kalabrias kanë raportuar mungesë karburanti për avionët, ndaj kompanitë ajrore janë këshilluar të planifikojnë furnizimin në aeroporte të tjera. Ndërkohë, bllokadat kanë shkaktuar trafik të rënduar dhe radhë kilometrike në segmente të autostradave A1 dhe A30.

Shoqatat kryesore të transportuesve kanë kërkuar përfundimin e bllokadave, duke argumentuar se protestat po dëmtojnë vetë sektorin që synojnë të mbrojnë. Megjithëse qeveria ka vënë në dispozicion fondet dhe ka nisur procesin e pagesave të ndihmës, protestat vijojnë, ndërsa autoritetet përballen me presionin për të ulur kostot e karburantit dhe për të garantuar furnizimin normal të vendit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat