Shqipëria Postuar më 22 October 2026, 15:23

Kategoritë që legalizohen falas/ Zbritje 100, 50 dhe 30% në varësi të statusit

Nga Scan TV

Kategoritë që legalizohen falas/ Zbritje 100, 50 dhe 30%  në

Qytetarët që kanë legalizuar ndërtime pa leje dhe duhet të paguajnë për parcelën ndërtimore mund të përfitojnë falje të plotë ose të pjesshme të detyrimit, në varësi të kategorisë sociale ku bëjnë pjesë. Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka miratuar një udhëzim që përcakton dokumentacionin e nevojshëm për përfitimin e lehtësive, mënyrën e plotësimit të formularëve elektronikë dhe procedurat e kryerjes së pagesave.

Sipas udhëzimit të botuar në Fletoren Zyrtare, falje të plotë të vlerës së parcelës ndërtimore përfitojnë poseduesit e ndërtimeve pa leje që kanë statusin e invalidit paraplegjik ose tetraplegjik, si dhe personat me statusin e të verbrit. Për të përfituar nga ky përjashtim, ata duhet të paraqesin pranë drejtorive vendore të Kadastrës vendimet përkatëse të komisioneve mjekësore.

Një kategori më e gjerë përfiton ulje prej 50 për qind të detyrimit. Këtu përfshihen poseduesit që kanë në familje persona me statusin e invalidit paraplegjik ose tetraplegjik, persona me statusin e të verbrit, si dhe rastet e përcaktuara për invalidët e punës dhe bashkëshortët e tyre.

Në të njëjtën kategori përfshihen edhe familjarët e dëshmorëve të atdheut, familjet njëprindërore me fëmijë në ngarkim dhe poseduesit që kanë mbushur moshën e pensionit, sipas kushteve të përcaktuara në kuadrin ligjor.

Për qytetarët që përfitojnë ndihmë ekonomike, detyrimi për parcelën ndërtimore reduktohet me 30 për qind. Për këtë lehtësi kërkohet vërtetim nga njësia e vetëqeverisjes vendore ku kanë vendbanimin.

Udhëzimi parashikon gjithashtu një zbritje prej 20 për qind të detyrimit të mbetur, nëse pagesa realizohet brenda 30 ditëve nga marrja dijeni për njoftimin. Kjo zbritje zbatohet pavarësisht funksionit të ndërtimit pa leje.

Një tjetër ndryshim procedural lidhet me administrimin elektronik të pagesave. Formularët plotësohen në mënyrë digjitale, ndërsa faturat për arkëtim u dërgohen subjekteve përmes portalit e-Albania ose, në rastet e përcaktuara, në rrugë postare.

Pagesat kryhen në llogaritë bankare të drejtorive vendore të Kadastrës. Pas konfirmimit dhe rakordimit financiar, detyrimi konsiderohet i shlyer dhe qytetari mund të vijojë procedurat e regjistrimit të pasurisë.

Udhëzimi nuk krijon një falje të përgjithshme të detyrimeve të legalizimit, por përcakton mënyrën e zbatimit të përfitimeve të parashikuara në legjislacionin ekzistues. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat