Shqipëria Postuar më 22 October 2026, 14:55

Autobusë elektrikë për bashkitë/ Projekti i FSHZH, 54 stacione SMART e 20 pika karikimi

Nga Scan TV

Autobusë elektrikë për bashkitë/ Projekti i FSHZH, 54

Shqipëria synon të modernizojë transportin publik përmes autobusëve elektrikë dhe hibridë, stacioneve inteligjente dhe një sistemi digjital që do të monitorojë në kohë reale lëvizjen e mjeteve dhe fluksin e pasagjerëve.

Projekti i hartuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit parashikon blerjen e 23 autobusëve të rinj, ndërtimin e 54 stacioneve SMART dhe instalimin e 20 karikuesve elektrikë, si pjesë e një ndërhyrjeje për përmirësimin e mobilitetit urban, ndërqytetas dhe turistik.

Sipas dokumenteve të projektit, flota e re do të përbëhet nga 12 autobusë urbanë plotësisht elektrikë, 7 minibusë elektrikë për linja turistike dhe zona me akses të kufizuar, si dhe 4 autobusë hibridë për transportin ndërqytetas.

Autobusët elektrikë standardë, me gjatësi rreth 12 metra, duhet të transportojnë të paktën 80 pasagjerë dhe të përshkojnë minimumi 250 kilometra me një karikim. Minibusët turistikë duhet të sigurojnë autonomi minimale prej 150 kilometrash, ndërsa autobusët hibridë parashikohet të përshkojnë të paktën 500 kilometra me një furnizim karburanti.

Por investimi nuk kufizohet vetëm te rinovimi i flotës.

Një nga risitë kryesore është krijimi i një sistemi inteligjent të administrimit të transportit publik. Autobusët do të pajisen me teknologji GPS që mundëson raportimin e vendndodhjes maksimumi çdo 5 sekonda, ndërsa sistemi duhet të parashikojë mbërritjen në stacione me një gabim mesatar jo më shumë se dy minuta.

Platforma do të mundësojë gjithashtu numërimin automatik të pasagjerëve, integrimin e biletimit elektronik, monitorimin e konsumit të energjisë dhe planifikimin e orareve sipas kërkesës për transport. Parashikohet edhe përdorimi i algoritmeve inteligjente për analizimin e flukseve dhe optimizimin e shërbimit.

Një tjetër komponent është ndërtimi i 54 stacioneve SMART, të ndara në tri kategori sipas rëndësisë dhe fluksit të pasagjerëve. Stacionet kryesore do të pajisen me sisteme informacioni në kohë reale, kamera sigurie, komunikim emergjent dhe panele fotovoltaike. Për këto struktura parashikohet një jetëgjatësi e projektuar deri në të paktën 25 vjet.

Megjithatë, dokumentacioni e konsideron këtë një paketë fillestare të propozuar. Shpërndarja përfundimtare e autobusëve dhe stacioneve ndërmjet bashkive do të përcaktohet në bazë të nevojave të transportit, flukseve të pasagjerëve dhe kapaciteteve infrastrukturore. Investimi i ri synon të zgjerojë përdorimin e autobusëve elektrikë dhe të avancojë modernizimin e transportit publik në Shqipëri, duke e shoqëruar rinovimin e flotës me stacione inteligjente, infrastrukturë karikimi dhe sisteme digjitale të administrimit. Projekti vjen pas iniciativave të mëparshme të elektrifikimit, por synon një qasje më të integruar ndaj mobilitetit urban dhe ndërqytetas.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat