Shqipëria Postuar më 22 October 2026, 12:04

Bizneset, detyrime të reja - Vendimi për QKB, certifikim vjetor. Vendndodhja identifikohet me GPS

Nga Diamila Leka

Bizneset, detyrime të reja - Vendimi për QKB, certifikim vjetor.

Regjistrimi i bizneseve dhe përditësimi i të dhënave të tyre pritet t’i nënshtrohen rregullave të reja. Qeveria propozon ndryshime në ligjin për regjistrimin e biznesit dhe funksionimin e Qendrës Kombëtare të Biznesit, duke parashikuar procedura elektronike, certifikim të detyrueshëm të aktivitetit ekonomik dhe sanksione për subjektet që nuk përmbushin detyrimet. Sipas vendimit, regjistrimi fillestar i bizneseve do të kryhet përmes portalit e-Albania, ndërsa vendndodhja e ushtrimit të aktivitetit do të identifikohet edhe nëpërmjet koordinatave gjeografike GPS.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me Kodin e Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike, ose Kodin NVE, që përcakton aktivitetin kryesor dhe, sipas rastit, veprimtaritë e tjera të një subjekti. Identifikimi dhe certifikimi i këtij kodi parashikohet të kryhet nga Dhoma Ekonomike Kombëtare, në bashkëveprim me QKB-në.

Bizneset e reja do të kenë 30 ditë kalendarike nga regjistrimi për të ngarkuar certifikatën përkatëse në e-Albania. Nëse nuk e përmbushin këtë detyrim, subjekti kalon automatikisht në statusin e pezulluar.

Edhe bizneset ekzistuese do të duhet të konfirmojnë periodikisht Kodin NVE. Vendimi parashikon përditësim vjetor të certifikatës, ndërsa mosrespektimi i detyrimeve mund të ndëshkohet me gjobë prej 60 mijë lekësh dhe pezullim të së drejtës për të kryer veprime në regjistrin tregtar, deri në plotësimin e kërkesave.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu shkëmbim elektronik të të dhënave mes institucioneve, përfshirë administratën tatimore, me synimin për të shmangur riparaqitjen e dokumenteve financiare. Vendimi i Qeverisë synon të standardizojë regjistrimin dhe klasifikimin e bizneseve, si dhe të rrisë ndërveprimin me sistemet evropiane. Zbatimi i një pjese të dispozitave që lidhen me Dhomën Ekonomike Kombëtare do të varet nga hyrja në fuqi e ligjit për këtë institucion.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat