Shqipëria Postuar më 22 October 2026, 15:19

Studim për tokat në Lushnje/ Analiza shkencore për përdorimin e pesticideve

Nga Scan TV

Studim për tokat në Lushnje/ Analiza shkencore për

Një studim shkencor mbi tokat bujqësore të Lushnjës pritet të sjellë të dhëna të reja për pesticidet dhe mbetjet e tyre, një çështje që ka qenë pjesë e diskutimeve ndër vite mbi bujqësinë në këtë zonë.

Universiteti i Tiranës, në kuadër të një projekti kërkimor të Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, do të analizojë praninë dhe përqendrimin e substancave të ndryshme kimike në tokë.

Studimi synon të krijojë një bazë të dhënash shkencore që mund të ndihmojë për të kuptuar më mirë gjendjen e tokave bujqësore dhe për të orientuar praktikat e qëndrueshme të prodhimit.

Për realizimin e analizave, Universiteti i Tiranës ka hapur një tender me fond limit prej rreth 1.2 milionë lekësh pa TVSH, për blerjen e reagentëve, pajisjeve dhe materialeve laboratorike.

Sipas dokumenteve të shqyrtuara nga SCAN, kërkohen standarde laboratorike për analizimin e 40 deri në 60 pesticideve të kategorive të ndryshme. Materialet përfshijnë gjithashtu standarde për identifikimin e disa ndotësve të tjerë organikë, si PCB dhe hidrokarburet aromatike policiklike.

Procedura është ndarë në dy lote, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave është 2 nëntori. Furnizimet laboratorike duhet të realizohen brenda 120 ditëve.

Rëndësia e projektit qëndron te sigurimi i të dhënave të matshme shkencore për një zonë me peshë të konsiderueshme në prodhimin bujqësor vendas.

Përfundimet e studimit, pasi të jenë realizuar analizat dhe të jenë bërë publike, mund të ndihmojnë në sqarimin e pikëpyetjeve mbi mbetjet e pesticideve dhe në një vlerësim më të informuar të cilësisë së tokave bujqësore të Lushnjës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat