Shqipëria Postuar më 21 October 2026, 16:55

Pro-Eksport Albania kërkesë qeverisë: Paga e patatueshme 60 mijë lekë dhe paketë mbështetëse për industrinë

Nga Scan TV
Pro-Eksport Albania kërkesë qeverisë: Paga e patatueshme 60

  

Shoqata Pro-Eksport Albania ka depozituar zyrtarisht kërkesat e saj për Paketën Fiskale 2027, duke i kërkuar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë lehtësim të tatimit mbi pagat dhe mbështetje konkrete për industrinë prodhuese dhe eksportuese.

Në letrën e datës 19 tetor, të nënshkruar nga kryetari Edvin Prençe dhe dërguar për dijeni Kryeministrisë dhe Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, shoqata thekson se rritja e kostos së jetesës, mungesa e fuqisë punëtore dhe forcimi i lekut ndaj euros po e vënë në vështirësi prodhimin vendas, veçanërisht sektorin e veshjeve dhe këpucëve.

Kërkesa kryesore është reforma e Tatimit mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP). Shoqata propozon që pragu i patatueshëm i pagës të rritet në 60,000 lekë në muaj për të gjithë punëmarrësit, me tatimin që do të aplikohej vetëm mbi pjesën që tejkalon këtë shumë, me hyrje në fuqi nga 1 janari 2027.

Sipas Pro-Eksport Albania, kjo masë do të rriste pagën neto, fuqinë blerëse të qytetarëve dhe do të ndihmonte në ruajtjen e punësimit formal dhe konkurrueshmërinë e eksportit shqiptar.

Në pikat e tjera, shoqata kërkon që Paketa Fiskale 2027 të përfshijë grante për investime produktive, lehtësira tatimore dhe instrumente financiare për modernizimin e industrisë. Ajo kërkon në mënyrë specifike rishikimin e programit "Dyfisho Sipërmarrjen Tënde", duke thjeshtuar procedurat bankare dhe kriteret, të cilat sipas saj po pengojnë aksesin në financim për shumë ndërmarrje.

Në fund të letrës, shoqata kërkon shqyrtimin e propozimeve, organizimin e një takimi me institucionet përgjegjëse dhe një përgjigje zyrtare, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim institucional.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat