Shqipëria Postuar më 21 October 2026, 12:41

46 milionë euro nga pronat - Regjistrimi i pasurive dhe legalizimet, kontribut kryesor

Nga Elisabeta Dosku

46 milionë euro nga pronat - Regjistrimi i pasurive dhe legalizimet,

Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) realizoi 4.2 miliardë lekë të ardhura apo rreth 46 milionë euro nga pronat gjatë vitit 2025.

Sipas të dhënave zyrtare nga ky institucion, rezulton një tejkalim i planit vjetor me rreth 1.46 miliardë lekë,  duke realizuar 152% të planit, ndërsa krahasuar me vitin 2024, të ardhurat u rritën me rreth 1.1 miliardë lekë, ose afërsisht 35% më shumë në terma vjetorë.

Të dhënat tregojnë se regjistrimi i pronave është burimi kryesor i të ardhurave të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. 

Konkretisht, nga regjistrimi i pronave ku përfshihen tarifat e shërbimeve kadastrale, kamatëvonesat dhe taksa 3% për kalimin e pronësisë, u realizuan në një vlerë prej  rreth 3.6 miliardë lekësh, kundrejt një plani prej 2.2 miliardë lekësh.

Edhe të ardhurat nga procesi i legalizimit rezultuan mbi planin. Për këtë kategori, ku përfshihen të ardhurat nga parcela ndërtimore, tarifat e shërbimit dhe penalitetet, u arkëtuan 675 milionë lekë, kundrejt planit prej 550 milionë lekësh. Niveli i realizimit arriti në rreth 123%.

Në strukturën e përgjithshme të të ardhurave, krahas shërbimeve kadastrale, një kontribut të rëndësishëm dhanë edhe të ardhurat nga transferimi i parcelave ndërtimore, të cilat arritën në rreth 422 milionë lekë.

Ndërkohë, të ardhurat e tjera u regjistruan në vlerën 253 milionë lekë.

Ndër Drejtoritë me rritjen më të lartë relative në raport me vitin 2024, dallohen Lushnje, me një rritje prej 222%, duke shënuar performancën më të lartë në rang kombëtar, Lezhë, me 191%, ndjekur nga  Dibra, Berati dhe Shkodra.

Një grup i dytë drejtorish me rritje të konsiderushme përfshin Tiranë Rurale 1, me 155%, Pogradec me 159%, ndjekur nga Kamëz–Vorë, Durrës–Kavajë–Krujë, Sarandë,  Vlorë dhe Tiranë Rurale 2.

Sipas Agjencisë Shtetërorë të Kadastrës, edhe pse gjatë vitit 2025 janë miratuar ndryshime në tarifat e shërbimeve kadastrale,  rritja e të ardhurave nuk lidhet vetëm me efektin e rritjes së tarifave, por edhe me faktorë të tjerë si rritja e volumit të shërbimeve, përmirësimi i eficiencës operacionale dhe rritja e kërkesës. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat