Europa Postuar më 21 October 2026, 11:50

Kredi më të shtrenjta - Normat e hipotekave në Gjermani arrijnë nivelin më të lartë që nga viti 2009

Nga Edel Strazimiri

Kredi më të shtrenjta - Normat e hipotekave në Gjermani

Kreditë hipotekare në Gjermani janë shtrenjtuar në nivelin më të lartë që nga kriza financiare e vitit 2009, me normat mesatare për kreditë 10-vjeçare që po i afrohen 4.5%. Sipas ndërmjetësuesit të kredive Interhyp, rritja lidhet kryesisht me frikën e inflacionit të nxitur nga lufta me Iranin.

Drejtori ekzekutiv i Interhyp, bëri të ditur se normat mesatare janë rritur nga 3.9% në maj në afro 4.5%, duke kaluar nivelin maksimal të regjistruar në fund të vitit 2023. Rritja e kostos së huamarrjes po rëndon mbi familjet që synojnë të blejnë një banesë.

Rritja e fundit lidhet me pasigurinë ekonomike dhe frikën se konflikti do të mbajë inflacionin në nivele të larta. Banka Qendrore Evropiane ka rritur dy herë normat e interesit këtë vit, duke e çuar normën bazë të depozitave në 2.5%.

Për një kredi mesatare për banesë, rritja e fundit e normave mund të shtojë rreth 200 euro në këstet mujore. Sipas Interhyp, disa klientë kanë filluar të tregohen më të kujdesshëm përpara se të marrin kredi të reja.

Vlerësohet se normat mund të ulen ndjeshëm vetëm nëse konflikti përfundon përfundimisht, por deri tani nuk ka shenja të qarta për një zgjidhje të tillë.

Megjithatë, çmimet e banesave në Gjermani vijojnë të rriten. Sipas të dhënave të zyrës federale të statistikave Destatis, ato u rritën me 0.6% në bazë vjetore gjatë tremujorit të dytë. Çmimet janë ende mbi 5% më të larta se niveli më i ulët i vitit 2024, por mbeten 8.2% poshtë kulmit të vitit 2022.

Ndërkohë, kreditimi i ri për blerjen e banesave ra me më shumë se 1.5% gjatë periudhës janar-korrik.

Banka holandeze ING thekson se mungesa kronike e banesave po pengon një rënie më të madhe të çmimeve, ndërsa ndërtimi i banesave mbetet i dobët. Sipas saj, një rimëkëmbje e ndjeshme e kërkesës për banesa nuk pritet në një të ardhme të afërt.

Tregu tashmë po pret vendimin e radhës të Bankës Qendrore Evropiane për normat e interesit, i cili pritet të shpallet më 29 tetor.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat