Shqipëria Postuar më 21 October 2026, 11:44

Mineralet, pasuri e pashfrytëzuar - Altax: Eksporti pa përpunim kufizon përfitimet për ekonominë 

Nga Fabjona Pasho

Mineralet, pasuri e pashfrytëzuar - Altax: Eksporti pa përpunim

Rreth dy të tretat e kromit të prodhuar në Shqipëri eksportohen të papërpunuara, duke kufizuar vlerën që krijohet brenda vendit. Sipas të dhënave të AKBN-së, të cituara nga qendra Altax, kjo peshë ishte 66,5% në vitin 2022.

Përpunimi i kufizuar mbetet një ndër dobësitë e sektorit minerar. Eksportet mund të sjellin më shumë të ardhura kur rriten çmimet ndërkombëtare, por kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se kompanitë prodhojnë me më shumë efikasitet apo investojnë në modernizim.

Sipas të dhënave, prodhimi I xeherorit dhe koncentratit të kromit arriti në rreth 953 mijë tonë në vitin 2024, kundrejt një kulmi prej 1.3 milionë tonësh në 2019-ën. 

Ndërkohë, investimet në makineri dhe pajisje minerare u rritën me 2,8 për qind gjatë vitit 2024, duke arritur në 5,3 miliardë lekë.

Analiza mbështetet edhe në një studim të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kilin, i cili tregon se kërkesa më e lartë për minerale nuk garanton rritje të produktivitetit. Gjetjet I përkasin ekonomisë kiliane, ndërsa për Shqipërinë shërbejnë si pikë referimi për të vlerësuar përdorimin e burimeve dhe përfitimet nga sektori

Një tjetër pengesë është lidhja e kufizuar me furnizuesit vendas. Importi I pajisjeve dhe shërbimeve të specializuara bën që një pjesë e përfitimeve nga aktiviteti minerar të shkojë jashtë vendit. 

Sipas ALTAX, rritja e kërkesës botërore për bakër dhe minerale të nevojshme për tranzicionin energjetik krijon mundësi edhe për Shqipërinë. Megjithatë, përfitimi afatgjatë varet nga investimet në përpunim, teknologji dhe aftësim të punonjësve, që pasuritë nëntokësore të krijojnë më shumë të ardhura dhe punësim brenda vendit. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat