Shqipëria Postuar më 10 November 2026, 12:26

Zgjerohet Korridori VIII/ Elbasan-Lekaj dhe tuneli i Hotolishtit, buxheti 2027 financon 4 faza të reja 

Nga Ola Mitre

Zgjerohet Korridori VIII/ Elbasan-Lekaj dhe tuneli i Hotolishtit, buxheti 2027

Ndërtimi i Korridorit VIII do të vijojë me financimin e fazave të reja gjatë vitit të ardhshëm, duke e shtrirë më tej investimin në drejtim të Peqinit dhe Qafë-Thanës. Sipas listës së shpenzimeve të projektbuxhetit 2027, për këtë korridor parashikohen rreth 5.52 mld lekë, duke e renditur ndër projektet me financimin më të lartë në listën e investimeve rrugore.

Krahas fondeve për kontratat në zbatim, vitin e ardhshëm parashikohet të nisë financimi për tri faza të reja nga Ura e Grykshit deri në Peqin. Për fazën e parë janë planifikuar 800 mln lekë, ndërsa për dy fazat e tjera nga 600 mln lekë. Në total, këto tri kontrata do të marrin 2 mld lekë gjatë vitit 2027, ndërsa vlera totale për përfundimin e tyre është 10 mld lekë. 

Në programin buxhetor janë përfshirë edhe dy faza të tjera, që vijojnë nga Peqini në Lekaj. Megjithatë, për këto segmente nuk parashikohen fonde gjatë dy viteve të ardhshme. Financimi planifikohet të nisë në vitin 2029, me nga 600 mln lekë për secilën fazë, ndërsa në total përfundimi i tyre kërkon 6 mld lekë.

Këto investime janë pjesë e aksit të ri Elbasan – Rrogozhinë, me gjatësi të përgjithshme 40.7 km. Rruga nis pranë ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan dhe përfundon në Lekaj, ku lidhet me autostradën ekzistuese të Korridorit Blu. 6 fazat e para, ku aktualisht po punohet, mbulojnë rreth 20 km të këtij aksi.

Ndërkohë, në drejtimin Elbasan – Qafë-Thanë, projektbuxheti parashikon nisjen e financimit të fazës së nëntë, me 1 mld lekë gjatë vitit 2027. Vlera e përgjithshme e kësaj faze është planifikuar në 5 mld lekë, me pagesa që vijojnë edhe pas vitit 2029. Sipas informacioneve të bëra publike më herët, kjo fazë përfshin tunelin e Hotolishtit.

Në këtë drejtim janë hapur për qarkullim 7.5 kilometrat e parë, nga dalja e Labinot-Fushës deri pas fshatit Mirakë, me dy korsi në secilin drejtim.

Projektbuxheti siguron financim edhe për dy kontratat në zbatim të rrugës që lidh aksin Tiranë–Elbasan me Korridorin VIII. Në listë është përfshirë edhe një fazë e tretë e kësaj lidhjeje, por financimi i saj parashikohet të nisë në vitin 2028. Ky segment është pjesë e bypass Elbasan, që do të lidhë Elbasan – Qafë-Thanë me Elbasan – Lekaj. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat