Shqipëria Postuar më 10 November 2026, 11:03

Tenderët, ndryshojnë rregullat - Pr/ligji: Hiqet tavani 50% për nënkontraktimin. Rishikohen kushtet për ndryshimin e kontratave

Nga Ola Mitre

Tenderët, ndryshojnë rregullat - Pr/ligji: Hiqet tavani 50% për

Kompanitë që fitojnë tenderë publikë do të mund të nënkontraktojnë më shumë se gjysmën e vlerës së kontratës. Një projektligj i propozuar nga qeveria për ndryshimin e ligjit “Për prokurimin publik” parashikon heqjen e kufirit aktual prej 50%, krahas ndërhyrjeve në rregullat për konkurrimin, ndryshimin e kontratave dhe ankimimin e procedurave.

Heqja e këtij tavani shoqërohet me kërkesa të reja për kontrollin e nënkontraktorëve. Kompania fituese duhet të njoftojë institucionin publik për ndryshimet gjatë zbatimit të kontratës dhe për çdo nënkontraktor të ri. 

Ndryshime propozohen edhe për kontratat që janë në zbatim. Projektligji shton mundësinë e modifikimit pa një tender të ri, kur vlera e ndryshimit nuk tejkalon 10% të kontratës fillestare për mallrat dhe shërbimet, apo 15% për punët publike. Njëkohësisht, ajo nuk duhet të kalojë kufirin e lartë monetar të prokurimit. Në këto raste, ndryshimi nuk mund të prekë natyrën e përgjithshme të kontratës, ndërsa modifikimet e njëpasnjëshme do të llogariten së bashku.

Një tjetër ndërhyrje është shfuqizimi i dispozitës së miratuar në vitin 2024, që i lejonte qeverisë, për një periudhë 3-vjeçare, të autorizonte institucione qendrore të negocionin drejtpërdrejt marrëveshje konsulence me subjekte ndërkombëtare në fusha strategjike. Këtu përfshiheshin inteligjenca artificiale, siguria kibernetike, infrastruktura kritike dhe lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Sipas relacionit, Komisioni Evropian ka kërkuar heqjen e këtij parashikimi, pasi nuk është në përputhje me direktivat.

Projektligji rregullon edhe pjesëmarrjen në tender të kompanive që kanë ndihmuar më parë në përgatitjen e procedurës. Institucioni publik duhet t’u japë konkurrentëve të tjerë informacionin përkatës dhe kohë të përshtatshme për ofertat. Kompania e përfshirë në përgatitje do të skualifikohet vetëm nëse trajtimi i barabartë nuk mund të garantohet me masa të tjera.

Sipas relacionit shoqërues, ndërhyrjet synojnë përafrimin me direktivat e Bashkimit Evropian dhe adresimin e problemeve të hasura në praktikë. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat