Shqipëria Postuar më 10 November 2026, 15:37

Çfarë kërkon turizmi? - Topuzi: TVSH 10% dhe euroja tkurrin të ardhurat e hoteleve

Nga Diamila Leka

Çfarë kërkon turizmi? - Topuzi: TVSH 10% dhe euroja

Rritja e TVSH-së për akomodimin nga 6 në 10% rrezikon të shtojë presionin mbi sektorin e turizmit, në një moment kur industria po përballet me sfida të reja dhe konkurrencë të fortë rajonale.

Kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Zak Topuzi, propozon dy alternativa për qeverinë: ruajtjen e TVSH-së 6%, paralelisht me formalizimin e tregut përmes ndryshimeve ligjore, ose aplikimin e një norme prej 10% edhe për ushqimin dhe pijet. Sipas tij, Shqipëria rrezikon të humbasë avantazhin konkurrues ndaj vendeve të rajonit, veçanërisht Malit të Zi, ku barra e TVSH-së për këto shërbime është më e ulët.

“Zgjidhja e parë është lënia e TVSH-së 6% dhe formalizimi i tregut përmes ndryshimeve ligjore, të cilat janë gati dhe ne i kemi mbështetur. Ose pika e dytë është ulja e... domethënë TVSH-ja 10% për akomodimin, por 10% dhe për ushqimin dhe pijet, në mënyrë që të paktën të përafrohemi. Sepse ne gjithmonë jemi të vonuar dhe nuk kapim dot Malin e Zi po themi, është konkurrenti kryesor i cili e ka... po t'i mbledhësh të dyja shkon 14%, ne domethënë po shkuam prej 10 njërën dhe 10 tjetrën do shkojmë 20%."   Pra, janë ca elementë që nuk lidhen vetëm me dëshirën për të mbledhur pak a shumë të ardhura në buxhet, por mos minojmë një industri e cila sot për sot është industria kryesore, që mbulon 44% të eksporteve shqiptare. Pra, kalon gjysmën e eksporteve dhe do ta godisësh në një moment kur ti pretendon se, domethënë, kjo industri po bëhet një nga industritë më të rëndësishme. Ndërkohë që, kërkimi ka filluar të çedojë, pra nuk është më ajo kërkesa që ka qenë deri tani. Ne shpresojmë që grupi i punës ta kuptojë rëndësinë e turizmit."

Një tjetër shqetësim për sektorin lidhet edhe me zhvlerësimin e euros. Operatorët turistikë i kanë të ardhurat kryesisht në monedhën europiane, pasi platformat ndërkombëtare të rezervimeve si Booking, Tripadvisor dhe Expedia operojnë me çmime në euro. Topuzi thotë se vetëm gjatë këtij viti, rënia e euros ka reduktuar me 6 deri në 7% të ardhurat e sektorit, duke shtuar presionin financiar mbi bizneset.

“Neve shesim domethënë, shesim me euro për të vetmen mundësi që operatorët, apo domethënë platformat, ku ne, Booking.com, Tripadvisor, Expedia apo të tjerë, nuk lejojnë që ne të paraqitemi me lekë. Dhe vetëm në këtë vit, euro ka rënë 6 pikë, sa përqind, 7 përqind. Pra të ardhurat tona, indirekt këtë vit kanë qenë 6 deri në 7 përqind më pak."

Ndërsa qeveria synon të rrisë të ardhurat buxhetore përmes paketës së re fiskale, operatorët kërkojnë që politikat tatimore të marrin në konsideratë ndikimin mbi konkurrueshmërinë e turizmit dhe ecurinë e kërkesës, në një industri që mbetet një nga kontribuuesit kryesorë në ekonominë shqiptare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat