Analiza Postuar më 10 November 2026, 11:35

Vlora, “kryeqyteti” i pronave/Regjistron indeksin më të lartë të çmimeve të ofruara në treg

Nga Scan TV

Vlora, “kryeqyteti” i pronave/Regjistron indeksin më të

Çmimet mesatare të ofruara nga shitësit për banesa në qytetet kryesore të Shqipërisë shfaqin diferenca të konsiderueshme, me Vlorën që rezulton qyteti me nivelin më të lartë në raport me mesataren kombëtare. 

Sipas raportit Property Index të Deloitte, indeksi i çmimeve të ofertave në Vlorë arrin në 156.98%, që do të thotë se çmimete ofruara për banesa janë mesatarisht rreth 57% më të larta se niveli mesatar i vendit.

Tirana renditet gjithashtu mbi mesataren kombëtare, me një indeks prej 122.09%. Kjo tregon se çmimet mesatare me të cilat ofrohen banesat në kryeqytet janë rreth 22% më të larta se mesatarja e tregut shqiptar.

Në anën tjetër qëndron Durrësi, ku indeksi fiksohet në 95.93%, duke e pozicionuar qytetin rreth 4% poshtë mesatares kombëtare. Pra, ofertat për banesa në këtë qytet rezultojnë mesatarisht më të ulëta se niveli referues i tregut në të gjithë vendin.

Diferencat mes tre qyteteve bëhen edhe më të dukshme në një krahasim të drejtpërdrejtë. Indeksi i Vlorës është rreth 35 pikë përqindjeje më i lartë se ai i Tiranës dhe 61 pikë përqindjeje mbi Durrësin. Ndërkohë, Tirana regjistron një nivel rreth 26 pikë përqindjeje më të lartë se Durrësi.

Këto diferenca pasqyrojnë karakteristikat e ndryshme të tregjeve lokale të pasurive të paluajtshme, ku ndikojnë faktorë si kërkesa për banesa, pozicionimi gjeografik dhe interesi për prona në zonat turistike.

Në një krahasim më të gjerë europian, raporti evidenton gjithashtu diferenca të konsiderueshme mes qyteteve të të njëjtit shtet. Në Greqi, për shembull, Athina ka një indeks prej 225.92%, ndërsa Selaniku 159.89% dhe Patra 83.13%. Në Spanjë, Barcelona arrin në 197.42%, kundrejt 150.70% në Madrid.

Duhet theksuar se grafiku i Deloitte paraqet krahasimin e çmimeve mesatare të ofertave në qytetet kryesore me mesataren e vendit, e cila është vendosur në nivelin 100%. Kjo do të thotë se treguesi nuk përfaqëson çmimin absolut për metër katror dhe as vlerën me të cilën janë mbyllur transaksionet, por nivelin e çmimeve me të cilat pronat ofrohen në treg. Analiza përfshin banesa të reja dhe ekzistuese.

Vlora, “kryeqyteti” i pronave/Regjistron indeksin më të

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat