Analiza Postuar më 10 November 2026, 13:20

Tërheqja e pensionit para kohe/ OECD: 1.7% e aseteve të fondeve private u tërhoqën gjatë 2025-ës

Nga Scan TV

Tërheqja e pensionit para kohe/ OECD: 1.7% e aseteve të fondeve

OECD ka publikuar së fundmi raportin Pensions Outlook 2026, i cili analizon zhvillimet në sistemet e pensioneve, përfshirë edhe kursimet private të pensionit, pra investimet që individët kryejnë në fondet private për të siguruar të ardhura shtesë në moshën e pensionit.

Sipas raportit, Shqipëria është një nga vendet e përfshira në analizë ku një pjesë e aseteve të këtyre fondeve tërhiqet përpara moshës së pensionit, për arsye të ndryshme. Gjatë vitit 2025, rreth 1.7% e totalit të aseteve të pensioneve private u tërhoqën para kohe në vendin tonë.

Në krahasim me vendet e tjera të analizuara, Shqipëria regjistron një nivel më të ulët se Portugalia, ku tërheqjet arritën në 3%, ndërsa qëndron mbi Spanjën me 1%, Çekinë me 0.9% dhe Brazilin me 0.6%. Në skajin tjetër të renditjes, Zambia kryeson me 6.9%, e ndjekur nga Kazakistani me 5.1%.

Sipas OECD-së, mundësia për të tërhequr kursimet pensionale përpara moshës së daljes në pension ndryshon nga një vend në tjetrin dhe zakonisht lidhet me kushte të caktuara, si problemet shëndetësore, papunësia, vështirësitë financiare apo nevoja për strehim. Organizata rekomandon që aksesi i parakohshëm në këto kursime të lejohet si masë e fundit, pasi tërheqja e tyre redukton kapitalin që mund të gjenerojë fitime nga investimet gjatë viteve të mbetura deri në pension.

Ndërkohë, tregu i fondeve private të pensionit në Shqipëri vijoi zgjerimin. Referuar raportit të vitit 2025 të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), vlera neto e aktiveve të këtij tregu arriti në 9.8 miliardë lekë në fund të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 21.55% krahasuar me një vit më parë. Edhe numri i anëtarëve u rrit, duke arritur në 49,218, ose 11.19% më shumë se në fund të vitit 2024.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat