Analiza Postuar më 10 November 2026, 11:44

Tirana “shpëton” popullsinë/ Pa kryeqytetin, 11 qarqet e tjera regjistrojnë 638 vdekje më shumë se lindje

Nga Xhorxhina Deda

Tirana “shpëton” popullsinë/ Pa kryeqytetin, 11 qarqet e

Shqipëria e ka mbyllur tremujorin e tretë të vitit 2026 me më shumë lindje sesa fatalitete, duke përmirësuar bilancin demografik të nëntëmujorit. Megjithatë, pas shifrave pozitive në nivel kombëtar fshihet një realitet tjetër: Tirana është qarku që mban pozitiv bilancin natyror të popullsisë, ndërsa 11 qarqet e tjera, të marra së bashku, regjistrojnë më shumë vdekje sesa lindje.

Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, gjatë periudhës korrik-shtator u regjistruan 5,787 lindje dhe 5,045 vdekje, duke prodhuar një shtesë natyrore pozitive prej 742 personash. Krahasuar me tremujorin e dytë, lindjet u rritën me 13.9%, ndërsa vdekjet me 3.7%.

Por krahasimi vjetor tregon një përkeqësim të bilancit. Lindjet ranë me 10.5% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025, ndërsa vdekjet u rritën lehtë, me 0.4%. Si rezultat, shtesa natyrore është reduktuar nga 1,441 persona një vit më parë në vetëm 742, ose me rreth 48.5%.

Sipas të dhënave pabarazitë territoriale mbeten të theksuara. Vetëm pesë nga 12 qarqet e vendit regjistruan shtesë natyrore pozitive, ndërsa shtatë të tjera kishin më shumë vdekje sesa lindje. Tirana kryeson me një bilanc pozitiv prej 1,380 personash, ndërsa Korça paraqet situatën më negative, me 220 vdekje më shumë sesa lindje.

Pesha e kryeqytetit është përcaktuese. Në Tiranë u regjistruan 2,708 lindje, që përfaqësojnë rreth 46.8% të totalit kombëtar. Megjithatë, edhe në kryeqytet lindjet kanë rënë me 12.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, Gjirokastra regjistroi vetëm 66 lindje.

Rënia e lindjeve është shtrirë në pjesën më të madhe të vendit. Dhjetë qarqe regjistruan më pak lindje se një vit më parë dhe vetëm dy shënuan rritje. Dibra pati rritjen më të lartë, me 3.9%, ndërsa Fieri rënien më të fortë, me 20.1%.

Të dhënat konfirmojnë se, pavarësisht rikthimit në territor pozitiv, tkurrja e lindjeve dhe përqendrimi i tyre në kryeqytet mbeten dy nga tiparet më të dukshme të zhvillimeve demografike në vend.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat