Shqipëria Postuar më 10 November 2026, 11:17

Si do parandalohen përmbytjet? - Pr/buxheti, financohen 11 mln euro për 20 projekte. Ku do ndërhyhet?

Nga Elisabeta Dosku

Si do parandalohen përmbytjet? - Pr/buxheti, financohen 11 mln euro

Rreth  4.3 miliardë lekë janë vënë në dispozicion për infrastrukturën e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet përmes buxhetit të vitit 2027. Nga ky fond,  2,5 miliardë lekë do të shkojnë për vijimin e 74 objekteve të nisura në vitin 2026, nga të cilat 24 në administrim të ministrisë dhe 50 në administrim të bashkive.

Sa i takon ndërhyrjeve për mbrojtjen nga përmbytjet, një fenomen i përvitshëm në Shqipëri dhe që shkakton dëme të larta ekonomike për fermrët, parashikohet zbatimi i 20 projekteve të investimit me një vlerë totale për 2027 që arrin në 1 miliardë lekë apo rreth 11 milionë euro. 

Projektet shtrihen në disa zona të vendit, me fokus kryesor rehabilitimin e argjinaturave, mbrojtjen e brigjeve të lumenjve nga gërryerjet dhe parandalimin e përmbytjeve të tokave bujqësore dhe zonave të banuara.

Sipas listës së detajuar projekteve të planifikuara, ndërhyrjet përfshijnë qarqet Fier, Lezhë, Korçë dhe Durrës, në lumenjtë Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman e Vjosë, si edhe në fushat torfike të Torrovicës dhe Maliqit.

Konkretisht, në qarkun Fier parashikohen 7 projekte, që përfshijnë rehabilitimin e lumit të Borshit, rehabilitimin e argjinaturës së majtë të lumit Bistricë në Çukë të Sarandës, mbrojtjen nga lumi Vjosë në Pishporo dhe Selenicë, rehabilitimin e argjinaturës mbrojtëse të kolektorit K17 në Butrint, si dhe ndërhyrje në lumin Shushicë në Xhyher të Vlorës dhe në tokat bujqësore të fshatit Kallarat në Himarë.

Në qarkun Lezhë janë parashikuar 5 projekte, që synojnë mbrojtjen nga gërryerjet e lumenjve Mat dhe Kir, ndërhyrje në grykëderdhjen e përroit Grykë Manati në lumin Drin, si dhe mbrojtjen e brigjeve të Drinit në Bahçallëk të Shkodrës.

Në qarkun Korçë janë 6 projekte, të përqendruara kryesisht në lumenjtë Osum, Devoll dhe Shkumbin. Ndërhyrjet përfshijnë mbrojtjen nga përmbytjet në lumin Devoll, poshtë Urës së Sheqerasit dhe në fshatin Dëshirë, mbrojtjen nga gërryerjet në fshatin Bitinckë, si dhe sistemimin dhe mbrojtjen e brigjeve të lumenjve Osum dhe Shkumbin.

Në qarkun Durrës parashikohet një projekt për ndërtimin e argjinaturës mbrojtëse përgjatë lumit Shkumbin, në segmentin Ballaj–Vilë-Bashtovë, me gjatësi rreth 22 kilometra.

Nga tabela rezulton se 19 projektet konkrete në qarqe janë në vazhdim, ndërsa një zë tjetër është evidentuar si i ri me vlerë prej 300 milionë lekësh. Investimet e planifikuara synojnë ndërtimin ose rehabilitimin e rreth 10 kilometrave argjinatura. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat