Shqipëria Postuar më 10 November 2026, 10:25

67.7 mln euro detyrime stok/ 9-mujori, ulen borxhet për qeverinë. Bashkitë, në të njëjtat nivele

Nga Elisabeta Dosku

67.7 mln euro detyrime stok/ 9-mujori, ulen borxhet për qeverinë.

Qeveria dhe pushteti vendor kanë ulur stokun e borxhit ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Deri në Shtator 2026 vlera detyrimeve të prapambetura arrin në afro 6.2  miliardë lekë apo afro 67.7 milionë euro.

Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, stoku i detyrimeve të prapambetura nga rreth 7.8 miliardë lekë që rezultonte në Qershor 2026,  ka zbritur me 1.6 miliardë lekë apo 17.5 milionë euro. 

Në totalin e borxhit të akumuluar deri në Shtator 2026,  qeveria qendrore zë 1.76 miliardë lekë, pushteti vendor zë afro 3 miliardë lekë, ndërsa 1.4 miliardë lekë i përkasin detyrimeve për rimbursimin e TVSH-së. Vërehet se ulja ka ndodhur në stokun e detyrimeve të qeverisë qendrore krahasuar me fundin e Qershorit me rreth 1.4 miliardë lekë. Ndërsa, pushteti lokal dhe detyrimet për rimbursim, kanë qëndruar në të njëjtat vlera si në tremujorin e mëparshëm. 

Sa i takon kategorisë së detyrimeve të prapambetura, një peshë të rëndësishme zënë ato për investime publike, duke qenë se përgjatë këtij viti ka pasur një numër të lartë kantieresh të hapura, për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët. 

Konkretisht, detyrimet për investime, që janë më të larta në pushtetin vendor, arrijnë vlerën totale prej rreth 1.7 miliardë lekëve. Kategoria “të tjera” zë afro 1 miliardë lekë të totalit të detyrimeve nga afro 2.2 miliardë lekë që rezultuan në fund të Qershorit.

Nga ana tjetër, stoku i detyrimeve për vendime gjyqësore për largime të padrejta nga puna apo ankimime të bizneseve arrin në 826 milionë lekë,  duke pësuar një rritje te lehtë në raport me fundin e tremujorit të dytë. 

Stoku i detyrimeve të prapambetura ka luhatje të vazhdueshme nga një tremujor në tjetrin në varësi të punëve publike të hapura, por angazhimi i qeverisë dhe detyrimi i pushtetit vendor është që të ndjekë një trend shlyerjeje deri në zerimin e plotë të tyre. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat