Shqipëria Postuar më 10 November 2026, 13:02

PET-Scan në QSUT - Spahiu: 250 milionë lekë për ekzaminimin pa pagesë të rreth 2,500 pacientëve

Nga Fabjona Pasho

PET-Scan në QSUT - Spahiu: 250 milionë lekë për ekzaminimin

Pacientët me kancer pritet të kenë mundësi ta kryejnë pa pagesë ekzaminimin PET-Scan në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, prezantoi në Komisionin e Ekonomisë fondin e parashikuar për këtë shërbim në projektbuxhetin e vitit 2027. 

“Për herë të parë parashikohet financimi i shërbimit PET-CT pranë QSUT-së në sistemin publik, me një fond prej 250 milionë lekësh për rreth 2,500 pacientë.

Ky shërbim është veçanërisht i rëndësishëm për pacientët onkologjikë, pasi ndihmon në përcaktimin e shtrirjes së sëmundjes, vlerësimin e përgjigjes ndaj trajtimit dhe orientimin e vendimmarrjes klinike.

Projekti po zhvillohet në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, duke përfshirë përgatitjen e infrastrukturës, sigurinë radiologjike, kualifikimin e personelit dhe organizimin e shërbimit.

Synimi është që pacientët përfitues ta marrin këtë ekzaminim pa pagesë në sistemin publik, pasi të jenë përmbushur të gjitha kushtet teknike, profesionale dhe të sigurisë”, u shpreh Spahiu. 

Përveç PET-scan, ministrja theksoi se trajtimi për pacientët me sëmundje onkologjike do të ndryshojë, duke përfshirë edhe trajtime të reja.

“Në vitin 2027, fondi për rimbursimin e barnave parashikohet të arrijë në 14.5 miliardë lekë, nga 13.5 miliardë lekë në vitin 2026. Bëhet fjalë për një rritje prej 1 miliard lekësh, ose 7.4%, e orientuar drejt zgjerimit të aksesit në barna, me vëmendje të veçantë ndaj barnave onkologjike dhe trajtimeve të reja”, tha ministrja. 

Përveç investimeve të reja sa I përket sëmundjeve tumorale, ministria e shëndetësisë gjatë vitit 2027 do të ketë një shtesë fondesh të konsiderueshme, ku parashikohen edhe rritje pagash. Spahiu tha se rreth 400 mjekë rojë të urgjencës do të kenë dyfishim page.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat