Shqipëria Postuar më 22 September 2026, 11:44

Uji, rritet performanca financiare - ERRU: Mbulimi i kostove të operimit arriti në 116.8%, problem uji pa të ardhura

Nga Ola Mitre

uji 22

Sektori i ujësjellës – kanalizime përmirësoi performancën financiare dhe të disa treguesve operacionalë gjatë vitit 2025, ndërsa reduktimi i ujit pa të ardhura, përmirësimi i arkëtimeve dhe rritja e vazhdimësisë së furnizimit mbeten ndër sfidat kryesore.

Sipas Raportit të sapopublikuar të Performancës për vitin 2025 të Entit Rregullator të Ujit, treguesi i Ujit pa të Ardhura mbeti në nivelin 61%, pa ndryshim në raport me një vit më parë. Kjo do të thotë se vetëm rreth 39% e ujit të prodhuar përkthehet në të ardhura për shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve.

Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë përmirësim të performancës financiare. Mbulimi i kostove të operimit dhe mirëmbajtjes arriti në 116.8%, nga 107.6% në vitin 2024, ndërsa mbulimi i kostove totale u rrit nga 83.2% në 89%. Megjithatë, sipas ERRU-së, mbulimi i plotë i kostove mbetet ende një objektiv për t’u arritur.

Përkeqësim është regjistruar te norma e arkëtimit. Norma e përgjithshme ra nga 102.6% në 98.5%, ndërsa norma e arkëtimit korente zbriti nga 84.6% në 81.4%. ERRU vlerëson se këta tregues evidentojnë nevojën për përmirësimin e disiplinës së pagesave dhe kontrollin e praktikave të administrimit financiar.

Ndërkohë, niveli i matjes së konsumit u rrit në 89.2%, nga 87.9% një vit më parë, si rezultat i vijimit të investimeve për pajisjen e konsumatorëve me ujëmatës. Edhe eficienca e stafit shënoi përmirësim, duke zbritur në 4.2 punonjës për 1 mijë lidhje, nga 4.4 në vitin 2024.

Raporti evidenton përmirësime edhe në shërbimin ndaj konsumatorëve. Kohëzgjatja mesatare e furnizimit me ujë arriti në 17.2 orë në ditë, ndërsa mbulimi me shërbimin e kanalizimeve u rrit në 59% dhe ai me furnizim me ujë në 79.6%. Megjithatë, furnizimi 24 orë në ditë mbetet ende larg realizimit në nivel sektori.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat