FunData Postuar më 22 September 2026, 10:40

IA rritet, media sociale dominon/ Gati 9 në 10 biznese përdorin rrjetet sociale, por vetëm 1 në 8 përdor IA

Nga Xhorxhina Deda

images (14).jpg

Mediat sociale po bëhen “vitrina” e zakonshme e bizneseve shqiptare, ndërsa inteligjenca artificiale po hyn më ngadalë, por me ritëm dukshëm më të shpejtë. Të dhënat për përdorimin e teknologjisë në ndërmarrje tregojnë se në vitin 2026, 88.1% e bizneseve përdorin media sociale, nga 86.5% një vit më parë. Ndërkohë, përdorimi i inteligjencës artificiale është rritur nga 9% në 12.4%. Pra, mund të themi se gati 9 në 10 ndërmarrje përdorin rrjetet sociale, por vetëm 1 në 8 përdor inteligjencën artificiale.

Mediat sociale janë më të përhapura në tregtinë me shumicë dhe pakicë, ku i përdorin 96% e ndërmarrjeve, të ndjekura nga transporti dhe magazinimi me 95.7% dhe aktivitetet e energjisë, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 95.3%. Edhe sektori i publikimit, transmetimit dhe prodhimit të përmbajtjes ka një prani shumë të lartë, me 92.5%, ndërsa aktivitetet administrative dhe mbështetëse arrijnë në 92.1%. Në ndërtim, përdorimi i mediave sociale është rritur nga 84% në 89.4%, një nga rritjet më të dukshme mes sektorëve.

Pamja ndryshon ndjeshëm kur bëhet fjalë për inteligjencën artificiale. Kryesojnë telekomunikacioni, programimi kompjuterik dhe shërbimet e informacionit, ku IA përdoret nga 36.1% e ndërmarrjeve. Pas tyre vijnë aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 34%, publikimi dhe transmetimi me 24.4%, si dhe aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 22%.

Rritja e IA nuk është e njëtrajtshme. Në aktivitetet e tjera të shërbimit, përdorimi është më shumë se dyfishuar, nga 6% në 14.8%. Në transport është rritur nga 8.5% në 14.2%, ndërsa në ndërtim nga vetëm 2.8% në 7.5%. Në kah të kundërt, akomodimi dhe shërbimi ushqimor kanë shënuar rënie, nga 11.3% në 9.1%.

Bizneset e kanë përqafuar gjerësisht komunikimin në rrjetet sociale, por përdorimi i IA mbetet ende i përqendruar te sektorët më të lidhur me teknologjinë, financat dhe përmbajtjen. Megjithatë, rritja brenda vetëm një viti tregon se inteligjenca artificiale po kalon gradualisht nga eksperimentimi në përdorim më të gjerë në ekonomi.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat