Shqipëria Postuar më 22 September 2026, 10:31

Ulet çmimi i karburanteve - Bordi i Transparencës vendos tavanet e reja

Nga SCAN TV

nafte

Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë dhe Pakicë të Nënprodukteve të Naftës dhe Gazit ka zhvilluar këtë të martë mbledhjen e dytë, ku ka vendosur çmimet e reja tavan për karburantet.

Sipas vendimit, gazoili i standardit SSH EN 590 do të tregtohet me një çmim maksimal prej 213 lekësh për litër në shitje me pakicë, ndërsa për shitjen me shumicë çmimi nuk duhet të kalojë 201 lekë për litër.

Ndërkohë, për benzinën, Bordi ka përcaktuar një çmim maksimal prej 193 lekësh për litër në pakicë dhe 181 lekësh për litër në shumicë.

Vendimi i Bordit hyn në fuqi më 22 shtator 2026, në orën 12:00, dhe do të jetë i vlefshëm deri në mbledhjen e ardhshme, kur çmimet mund të rishikohen në varësi të zhvillimeve në tregun e hidrokarbureve.

Bordi u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve të tregtimit të karburanteve që të zbatojnë çmimet e përcaktuara. Në njoftim theksohet se, në rast të konstatimit të shkeljeve nga operatorë të ndryshëm, mund të merret masa e pezullimit të aktivitetit.

Vendimi vjen në kuadër të masave të ndërmarra pas shpalljes së situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve dhe synon, sipas institucioneve përgjegjëse, mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat