Shqipëria Postuar më 22 September 2026, 10:30

Shqipëria, tregu kryesor i Puglias - 83.5 mln euro ushqime, verë dhe pije vetëm gjatë vitit 2025

Nga Ernilda Luzi

tregtia import expo

Afërsia përtej Adriatikut po e kthen Shqipërinë në një nga tregjet më të rëndësishme për industrinë ushqimore të Puglias. Vetëm gjatë vitit 2025, rajoni italian eksportoi drejt Shqipërisë 83.5 milionë euro ushqime, verë dhe pije të tjera.

Të dhënat e reja të Unioncamere Puglia tregojnë se Shqipëria përthith e vetme rreth 75% të eksporteve puglieze të këtyre produkteve drejt katër tregjeve të Ballkanit Perëndimor të marra në analizë, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Në total, këto katër vende blenë 111.3 milionë euro produkte ushqimore dhe pije nga Puglia gjatë vitit të kaluar.

Me fjalë të tjera, nga çdo 4 euro që Puglia siguron nga eksportet e ushqimeve dhe pijeve drejt këtyre katër tregjeve, rreth 3 euro vijnë nga Shqipëria.

Por pesha e tregut shqiptar bëhet edhe më e dukshme kur Puglia krahasohet me rajonet e tjera italiane.

Me 24.1% të totalit italian, Puglia është sot rajoni numër një i Italisë për eksportin e ushqimeve, verës dhe pijeve drejt Shqipërisë. Pra, pothuajse një në çdo katër euro produkte të kësaj kategorie që Italia eksporton në tregun shqiptar vjen vetëm nga Puglia.

Tendenca nuk është e një viti të vetëm. Unioncamere Puglia thotë se seria historike e eksporteve agro-ushqimore dhe të verës drejt Shqipërisë është në rritje të pandërprerë prej më shumë se pesë vitesh.

Pozicioni i Shqipërisë është dukshëm më i madh edhe brenda grupit të vendeve të analizuara. Nga 111.3 milionë euro eksporte drejt katër vendeve, 83.5 milionë shkojnë në Shqipëri, ndërsa Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi u mbeten së bashku vetëm rreth 27.8 milionë euro.

Për Puglian, megjithatë, objektivi tashmë nuk është vetëm të shesë më shumë produkte në Shqipëri. Strategjia e prezantuar në Bari synon kalimin nga eksporti tradicional drejt një pranie më të qëndrueshme në treg, përmes lidhjeve me distributorë dhe operatorë vendas.

Unioncamere Puglia ka një zyrë në Tiranë që prej vitit 1999 dhe thotë se ka ndihmuar kompanitë puglieze të pozicionohen në tregjet e Ballkanit. Hapi i ardhshëm është organizimi më i mirë i ofertës së kompanive dhe krijimi i aleancave me distributorët lokalë.

Të dhënat u prezantuan më 21 shtator në Fiera del Levante në Bari, gjatë aktivitetit “Puglia Business Routes”, organizuar nga Unioncamere Puglia dhe Regione Puglia. Sipas organizatorëve, afërsia gjeografike dhe marrëdhëniet ekzistuese tregtare e bëjnë Ballkanin Perëndimor një zonë me interes të veçantë për zgjerimin e mëtejshëm të kompanive puglieze.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat