Europa Postuar më 22 September 2026, 11:15

Italia, legalizim emigrantëve? - 6 muaj në Itali dhe një kontratë pune, çfarë propozohet

Nga SCAN TV

Italia mund të ndryshojë mënyrën se si trajton emigrantët që jetojnë dhe punojnë në vend pa dokumente të rregullta. Në vend të proceseve të emërtuara ‘sanatoria të jashtëzakonshme’ që hapen periodikisht, një propozim i ri kërkon krijimin e një mekanizmi permanent legalizimi, të aksesueshëm individualisht në çdo kohë.

Propozimi vjen nga fushata “Ero Straniero”  për senatin italian. 

Modeli i propozuar parashikon dy rrugë legalizimi.

E para lidhet drejtpërdrejt me punësimin. Një i huaj pa leje të rregullt qëndrimi, por që ndodhet prej të paktën gjashtë muajsh në Itali, mund të ketë mundësinë të aplikojë për leje qëndrimi nëse siguron një kontratë pune dhe të ardhura mbi nivelin vjetor të ndihmës sociale italiane. Raporti sugjeron një kontratë me kohëzgjatje të paktën 6 ose 12 muaj.

Ndryshimi thelbësor është se procedura nuk do të hapej vetëm gjatë një ‘sanatorie’. Ajo propozohet të jetë e përhershme dhe individuale, duke i dhënë mundësi një personi të rregullojë statusin sapo të plotësojë kriteret dhe pasi rasti të verifikohet nga autoritetet.

Rruga e dytë është edhe më e gjerë. Propozohet krijimi i një lejeje qëndrimi për “rrënjosje sociale”, sipas një modeli të ngjashëm me atë që përdoret në Spanjë. Në këtë rast do të vlerësoheshin koha e qëndrimit në Itali, lidhjet familjare ose afektive, njohja e gjuhës italiane dhe integrimi social e profesional. Leja e propozuar do të zgjaste dy vjet, do të ishte e rinovueshme dhe mund të konvertohej më pas në leje qëndrimi për punë.

Propozimi mbështetet te rezultatet e sanatorisë së vitit 2020. Nga mbi 220 mijë aplikime, deri në fund të vitit 2025 ishin lëshuar 131,764 leje qëndrimi. Sipas raportit, legalizimi ka sjellë gjithashtu mbi 140 milionë euro të ardhura direkte nga kostot dhe kontributet e procedurës, ndërsa pozicionet e legalizuara vlerësohet se gjenerojnë rreth 228 milionë euro në vit për financat publike dhe sigurimet shoqërore.

Autorët argumentojnë se ‘sanatoritë’ e herëpashershme nuk e zgjidhin problemin në mënyrë strukturore. Sipas tyre, sistemi aktual vazhdon të krijojë raste të reja parregullsie dhe më pas shteti ndërhyn periodikisht për t'i legalizuar. Objektivi i propozimit është që ky cikël të zëvendësohet nga një procedurë e zakonshme, me kritere të përcaktuara dhe kontrolle.

Ideja nuk është krejtësisht e re për Parlamentin italian. Në Senat janë paraqitur më parë iniciativa që parashikojnë si një mekanizëm permanent legalizimi përmes kontratës së punës, ashtu edhe lejen për “rrënjosje sociale”. 

Për shqiptarët që jetojnë në Itali, një ndryshim i tillë do të kishte interes të drejtpërdrejtë për personat që ndodhen pa status të rregullt dhe që do të plotësonin kriteret e propozuara. Megjithatë, aktualisht nuk është hapur një ‘sanatori’ e re dhe nuk ekziston ende kjo procedurë permanente.

Propozimi që prezantohet në Senat synon të hapë pikërisht këtë debat, kalimin nga legalizimet e jashtëzakonshme te një mekanizëm i përhershëm, ku puna ose integrimi i provuar në shoqërinë italiane mund të krijojnë një rrugë drejt lejes së qëndrimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat