Bota Postuar më 22 September 2026, 10:10

FMN: Rreziqet po shtohen - Inflacioni, borxhet dhe investimet në IA po shqetësojnë ekonominë globale

Nga Edel Strazimiri

fmnnn

Ekonomia globale po tregohet më rezistente nga sa pritej, por rreziqet për një ngadalësim të mëtejshëm mbeten të larta. Paralajmërimi vjen nga drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, e cila veçon inflacionin e qëndrueshëm, kostot e borxhit dhe investimet masive në inteligjencën artificiale.

FMN parashikon rritje të ekonomisë botërore prej rreth 3% për vitin 2026, më pak se 3.5% një vit më parë. Sipas Georgievës, aktiviteti ekonomik ka përballuar më mirë nga sa pritej goditjet e konflikteve dhe energjisë, ndërsa investimet në teknologji kanë ndihmuar në zbutjen e ndikimit.

Megjithatë, inflacioni mbetet një problem. Georgieva paralajmëroi se rikthimi i presioneve mbi çmimet mund t'i detyrojë bankat qendrore të mbajnë politika monetare më të shtrënguara, duke rritur njëkohësisht koston e shërbimit të borxheve.

Një tjetër rrezik lidhet me bumin e investimeve në inteligjencën artificiale. Shefja e FMN-së tha se financimi i madh për sektorin, përfshirë përdorimin e borxhit dhe financime mes kompanive të lidhura, duhet monitoruar nga afër.

Sipas saj, nëse pritshmëritë shumë të larta për AI nuk përmbushen, zhgënjimi i investitorëve mund të shkaktojë një goditje më të gjerë në sistemin financiar. Ky rrezik është aktualisht i përqendruar kryesisht në Shtetet e Bashkuara, edhe pse kompanitë europiane dhe aziatike janë pjesë e zinxhirit global të teknologjisë.

FMN pritet të japë një panoramë më të plotë në parashikimin e ardhshëm ekonomik botëror në tetor. Georgieva theksoi se rritja rreth 3% mbetet një rezultat i konsiderueshëm, duke pasur parasysh goditjet e njëpasnjëshme që ka përballuar ekonomia botërore.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat