Europa Postuar më 22 September 2026, 09:58

Gjermania, “sitë” emigrantëve - Kontroll strehimit, asistencës dhe kantiereve të punës

Nga SCAN TV

Gjermania po përgatitet të shtrëngojë kontrollet ndaj punës së padeklaruar, punësimeve fiktive dhe shfrytëzimit të punëtorëve të huaj. Një plan i ri me dhjetë masa synon të godasë jo vetëm punonjësit apo përfituesit që abuzojnë me sistemin, por edhe punëdhënësit dhe rrjetet që qëndrojnë pas skemave të organizuara.

Paketa e prezantuar nga ministrja gjermane e Punës, Bärbel Bas, dhe ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, parashikon në radhë të parë një shkëmbim shumë më të madh informacioni mes institucioneve. Qendrat e punesimit, autoritetet lokale, zyrat e emigracionit dhe strukturat e tjera do të mund të kryqëzojnë më mirë të dhënat për të identifikuar raste të dyshimta.

Një nga objektivat kryesore janë punësimet fiktive. Autoritetet kërkojnë të zbulojnë rastet kur një marrëdhënie pune ekziston vetëm në letër ose ndërtohet artificialisht për të krijuar të drejtën për përfitime nga sistemi social.

Kontrollet do të shkojnë edhe te punëdhënësit. Agjencia Federale e Punës pritet të ketë mundësi më të mëdha për t'i kërkuar përgjegjësi një kompanie kur konstatohen skema të lidhura me punën e padeklaruar. Synimi është që përgjegjësia të mos përqendrohet vetëm te punëtori, por edhe te bizneset që përfitojnë nga puna informale ose shfrytëzojnë punonjës vulnerabël.

Një tjetër pikë e planit prek strehimin. Autoritetet gjermane duan të ndërhyjnë më fort ndaj pronave të mbipopulluara ose në kushte të papërshtatshme, ku punëtorët migrantë mund të strehohen kundrejt qirave të larta. Bashkitë pritet të marrin instrumente më të forta për të kontrolluar këto ndërtesa dhe pronarët e tyre.

Nën kontroll do të vendosen edhe adresat e deklaruara të banimit. Kryqëzimi i regjistrave synon të zbulojë rastet kur një numër i madh personash deklarohen në një adresë ku nuk jetojnë realisht, veçanërisht kur këto regjistrime lidhen me përfitime sociale ose marrëdhënie pune të dyshimta.

Paketa parashikon gjithashtu përdorim më të gjerë të identifikimit personal dhe analizës së të dhënave për të zbuluar më shpejt skema që sot mund të kalojnë nga një institucion te tjetri pa u identifikuar.

Një tjetër masë lidhet me personat ndaj të cilëve ekziston një urdhër-arrest i ekzekutueshëm. Plani parashikon që në raste të tilla të mund të ndërpriten pagesat bazë sociale.

Berlini kërkon kështu të ndërtojë një sistem ku kontrollet të mos nisin vetëm pasi zbulohet një abuzim, por ku institucionet të shkëmbejnë informacion dhe të identifikojnë më herët punësimet fiktive, punën në të zezë dhe shfrytëzimin e punëtorëve të huaj.

Masat pritet të zbatohen gradualisht deri në fund të vitit, ndërsa një pjesë e rregullave të reja mund të hyjë në fuqi nga fillimi i vitit 2027.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat